Pas arrestimit të ish-presidentit Ilir Meta, nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi, ka reaguar ashpër. Ai e përshkruan këtë situatë si një tentativë për të instaluar frikën dhe padrejtësinë, duke akuzuar SPAK-un për shtrimin e një rruge të florinjtë për Ramën.
Boçi thotë se arrestimi i krerëve të opozitës është një akt i poshtër dhe i gabuar, duke e krahasuar me praktikat e dikurshme të regjimit totalitar. Ai akuzon Ramën për miratimin e kriminelëve të vërtetë, ndërsa drejtësia, sipas tij, është shndërruar në një mjet dhune dhe frike.
Reagimi
Rama, njeriun i cili i dhuroi fronin e Kryeministrit në 2013, të cilin as në ëndërr nuk e kish parë, e arreston sot me dhunë me cerberët e tij të portave të pushtetit.
Më thoni tani cili është “krimineli”?!
Dante MOSMIRËNJOHËSIN e vendoste në rrethin e 9-të ferrit.
Ndërsa SPAK (të na falë Dante për paralelizmin rrethanor) mosmirënjohësin epik Ramë, themeluesin e narko-shtetit shqiptar, të kapur me krim zgjedhor e korrupsion masiv, e mban mentor dhe Kryeministër.
Ndërsa Drejtësia e pretenduar sot është barazuar me dhunën, ndërkohë që duhet të jetë thjesht ligj.
Arrestimet në një drejtësi të drejtë nuk janë marrje nëpër këmbë e dinjitetit të atij që akuzohet.
Një drejtësi që i trajton bandat e banditët që kanë zbrazur Shqipërinë si engjëj dhe të tjerët si djaj, është drejtësi inkuizitore.
Sipas Ramës e SPAK-ut të tij, drejtësia e Hoxhës me dhunën e saj ekzemplare i bie të jetë kampione!!!??
Pamjet e xhiruara me regji sot dhe të transmetuara kërkojnë të instalojnë frikën e padrejtësisë e të regjimit dhe jo të vendosin drejtësi.
Rruga e florinjtë që SPAK po i shtron Ramës për ruajtjen e sundimit, me arrestimin e krerëve të opozitës, është rrugë e poshtër dhe e gabuar, një film i parë para ‘90.
Përgjigjen ndaj saj e ka gdhendur historia.
Çdo përsërtitje e saj me rivendosje diktature, kërkon dhe përsëritjen e përmbysjes.