Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, theksoi se procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë është thelbësor për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO. Ai u shpreh se bashkëpunimi me Kosovën në çështje të sigurisë, si mbështetja për Ukrainën, ka avancuar, por theksoi se anëtarësimi do të varet nga gatishmëria e të gjitha vendeve anëtare të NATO-s për të pranuar progresin e arritur nga Kosova.
“Tashmë kemi punuar për së afërmi së bashku në shumë aspekte të sigurisë dhe kjo do ta bënte këtë rrugëtim më të mundshëm, na vjen mirë që kemi bashkëpunuar dhe jemi koordinuar me Kosovën në çështje si mbështetja për Ukrainën dhe nëse flasim realisht rrugëtimi drejt NATO-s varet mjaftë shumë nga dialogu dhe arsyet që i përmenda tani, kjo s’do të ndodhë derisa të gjithë anëtarët e NATO-s janë të gatshëm dhe të kënaqur me atë që është arritur nga Kosova” tha Hargreaves në Rubikon të Klan Kosovës.
Hargreaves theksoi se Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) duhet të ofrojnë siguri brenda vendit dhe të demonstrojnë rolin e Kosovës në arkitekturën e sigurisë evropiane.
“FSK-ja duhet të ofrojë siguri për personat brenda vendit, por edhe të demonstroj rolin më të gjerë të Kosovës në Evropë dhe gjithashtu edhe si pjesë e arkitekturës së sigurisë Evropiane. E përmenda më herët se sa e fokusuar është qeveria jonë e re në aspektin e bashkëpunimit të sigurisë me Evropën dhe në Evropë, dhe bashkëpunimi ynë i sigurisë me Kosovën është pjesë e marrëdhënies sonë”, tha Hargreaves.