Deputetja e Partisë Demokratike Floriana Garo në një deklaratë për mediat ka folur rreth tenderave të rindërtimit në bashkinë e Durrësit.
Garo shprehet se kanë kaluar pesë vjet që nga tërmeti i 2019 dhe akoma tenderat e rindërtimit në Durrës po vijojnë.
“Nga granti i rindërtimit ishin parashikiuar të përfitonin familjet e dëmtuara nga tërmeti por, një javë para zgjedhjeve të vitit 2021 Bashkia e Durrësit ndryshoi strategji, duke ua kaluar fondin e rindërtimit qytetarëve në llogari bankare. Një përpjekje e qartë për të ndikuar qytetarët elektoralisht, pra një mënyrë e blerjes dhe manipulimit të votës.
Bashkia Durrës transferoi në prill 2021 mbi 792 milionë lekë grante individuale për rikonstruksione të lehta në banesa duke shkelur kështu Kodin Zgjedhor. Edhe pse është tërhequr shuma fantastike e 267.8 milion eurove nga Fondi i Rindërtimit, jo pak qytetarë të Durrësit, në vend të çelësit të shtëpisë kanë marrë çelësat e kashtës. Në këtë sorrollatje të gjatë, here më bonus qiraje e herë pa të, herë në hotele e herë në shtëpi me qera, një pjesë e atyre që kanë humbur shtëpitë në tërmetin e para 5 viteve, u ka mbetur shpresa e fundit te zgjedhjet e pranverës së ardhshme.”, u shpreh Garo.
Më pas ajo thekson se për “Edi Ramën dhe Emirjana Sakon fatkeqësia e 2019 ka qenë një rast për të shpërblyer financiarisht bandat e Durrësit, që i ndihmuan gjatë zgjedhjeve dhe për të përdorur rindërtimin dhe fondet e tij për të blerë dhe rrëmbyer votat e të mbeturve pa strehë”.