Deputeti i Partisë Demokratike Edmond Spaho ka thënë që gjatë protestës është dhunuar nga një polic civil.
“Rreth orës 19:20, policia vendosi të ndërhyjë dhe ta shpërndajë protestën, megjithëse i kishim komunikuar që kishim marrë leje për 3 orë. Kemi qenë paqësorë dhe i kemi lejuar të kalojnë të gjitha ambulancat, madje edhe makinat me civilë që kishin probleme shëndetësore. Kështu që, i thamë që të prisnin sa të shkonte ora, sipas asaj që kishim rënë dakord. Por, policia e kishte ndarë mendjen. Erdhën forcat e ndërhyrjes së shpejtë, ata me skafandra dhe polic civilë me shumicë, të cilët na rrethuan dhe na sulmuan.”, tha Spaho.
Ai u shpreh që përballë ka pasur një polic civil dhe i ka thënë që mos ta prekë pasi është deputet, por ai ka bërë të kundërtën dhe i është hedhur.
“Natyrisht, edhe unë iu ktheva se dy duar për një kokë janë. Nuk mund ta lija. Pastaj, ndërhynë njerëzit që e frenuan.Aty kishte shumë kamera dhe është fare e thjeshtë për ta identifikuar atë bandit. Më ka çuditur agresiviteti i Policisë së Elbasanit. Kanë marrë në polici 21 veta”, tha Spaho.