Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë padinë e Pëllumb Gjokës, i cili kërkon shfuqizimin e disa vendimeve të gjykatave të mëparshme që kanë caktuar masën e “Arrest në burg” ndaj tij. Kjo kërkesë do të shqyrtohet më 19 dhjetor. Gjoka është arrestuar nga SPAK në kuadër të hetimeve për dosjen “Metamorfoza”, pasi bisedat e tij janë zbardhur përmes aplikacionit SKY ECC.
Në padinë e tij, Gjoka kërkon që të shfuqizohen vendimet e disa gjykatave, përfshirë vendimet e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Posaçme, të cilat kanë miratuar masën e sigurisë. Gjoka ka kërkuar gjithashtu që të konsiderohet i paligjshëm përdorimi i të dhënave nga SKY ECC, një aplikacion i përdorur për zbardhjen e komunikimeve të tij dhe të personave të tjerë të përfshirë në dosje.