Tirana priti Ministerialin e Mbrojtjes për Evropën Juglindore (South East Defence Ministerial – SEDM), i cili mblodhi ministra dhe përfaqësues të lartë nga disa vende.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu gjatë fjalës së tij tha se në këto kohë të vështira për paqen dhe stabilitetin global është e rëndësishme që të qëndrojmë së bashku dhe të ndërveprojmë së bashku për u bërë ballë rreziqeve dhe sfidave të shumëfishta.
“Për Shqipërinë ky bashkëpunim qëndron një busull orientuese drejt një familje demokratike me vlera të shëndosha dhe padyshim ne, në mënyrën e bashkëpunimit që kemi thelluar ndër vite, kemi arritur të mbajmë gjithashtu larg ambiciet dhe ndërhyrjet e aktorëve dashakeqës, që mund të minojnë kursin euroatlantik të vendeve dhe rajonit tonë. Shqipëria këtë vit është kthyer në një nyje të bashkëpunimit, të sigurisë dhe mbrojtjes rajonale, duke kryesuar dhe mikpritur disa formate të rëndësishme, siç janë A5 – Karta e Adriatikut, Mbledhjen e Shefave të Shtabeve të Forcave të Armatosurat të vendeve të rajonit dhe padyshim edhe ky ministerial, që është një pikë tjetër kulmore.”, tha Vengu.