Kosova, e mësuar me termocentralet e ndërtuara në socializëm, është në pikën më kritike të marrjes së vendimeve për ardhmërinë e vet energjetike. Siç tregojnë analizat, nuk ekziston një zgjidhje, por një sërë sish dhe partitë që e duan pushtetin në zgjedhjet e shkurtit duhet të shpjegojnë se cilën zgjidhje do ta bëjnë, kur dhe si?
1.
Në momentin kur CHATGPT-së ia bëni një pyetje jo shumë të ndërlikuar – si të kalohet një fundjavë e bukur në Romë, cilat janë statistikat e FC Barcelona në ndeshjet kundër Realit në pesë vitet e fundit, si të përgatitet pitja pa yndyrë – aktivizohen serverët e mëdhenj në gjysmën tjetër të botës dhe në procesim e sipër të pyetjes, shpenzojnë energjinë elektrike të barasvlershme me ndezjen e një poçi elektrik për 20 minuta.
Kjo statistikë nuk është e nevojshme për kuriozitet, por sepse në këtë moment është shënimi që intereson tërë industrinë që po ndërtohet mbi inteligjencë artificiale (IA) dhe që duhet të interesojë votuesit kosovarë dhe partitë politike kosovare që ua kërkojnë votat këtyre qytetarëve në shkurt të vitit të ardhshëm.
Në shikim të parë, zhvillimi i IA dhe zgjedhjet kosovare nuk duket të kenë gjë të përbashkët, por ja edhe shpjegimi që i lidh. Në gjendjen në të cilën jemi sot, IA llogaritet se shpenzon 1 për qind të energjisë elektrike botërore. Zhvillimi marramendës i inteligjencës artificiale bën që makinat llogaritëse që përdoren dyfishojnë kërkesën për energji elektrike çdo 3 apo 4 muaj. Llogaritet që deri në fund të këtij dhjetëvjetëshi, me ritmin e tanishëm të zhvillimit, inteligjenca artificiale do të konsumojë rreth 8 për qind të energjisë elektrike në botë.
E kjo do të thotë se bota duhet të prodhojë tetë për qind më shumë energji elektrike në një periudhë kohore kur po ashtu duhet të bëjë dekarbonizimin e këtij prodhimi. Pra gjithnjë e më pak qymyr e djegie nafte dhe gjithnjë e më shumë panele solare dhe turbina ere, mbase edhe energji bërthamore. Mbase, duke marrë parasysh kërkesën e madhe, energji elektrike gjithnjë e më e shtrenjtë.
2.
Çka ka kjo të bëjë me votuesin kosovar? Ai mund t’ia bëjë pyetjen Chatgpt-së dhe të shpenzojë 20 minuta të një poçi elektrik apo të bëjë një analizë të thjeshtë me konstatimin bazik se përderisa e tërë bota po ndryshon, madje në mënyrë aq dramatike sa të ballafaqohet me sfidën e re energjetike që sjell inteligjenca artificiale, vendimi i fundit për zhvillimin e energjisë elektrike në vend ka qenë ai i Kuvendit të Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës dikund kah mesi i viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar e që kishte të bënte me ndërtimin e Kosovës B. Pra, për pesëdhjetë vjet, institucionet e Kosovës nuk kanë marrë ASNJË vendim për zhvillimin e energjisë elektrike; këtu nuk po mendoj për strategji afatmesme apo afatgjate, por për vendime konkrete që do të ndryshonin gjendjen prej asaj të para pesëdhjetë vjetëve. Kosova funksionon me 91 për qind të energjisë elektrike nga stabilimentet që u ndërtuan në socializëm.
Dhe, ndonëse ka pasur natyrisht arsye që Kosova nuk ka mundur të vendosë gjatë okupimit 1989-1999, institucionet e Kosovës së lirë, në shkallë të ndryshme nuk kanë ndërtuar ASNJË kapacitet të ri energjetik që do të ndryshonte gjendjen e krijuar pesëdhjetë vjet më parë. E, nga çlirimi i Kosovës ka kaluar një çerek shekulli.
3.
Tash, këtu në vjeshtën e vitit 2024 takohen të gjitha rrëfimet për energjetikën. Bota do të kërkojë më shumë energji elektrike dhe ajo, për shkak të obligimeve globale e evropiane për dekarbonizimin, duhet të krijohet nga burime të ripërtëritshme. Kosova, duhet të llogarisë se energjia e saj do të vazhdojë të prodhohet nga Kosova A dhe B deri sa të shemben këto stabilimente, por vendimi për stabilimentet e reja nuk mund të shtyhet më dhe është dramatikisht-tash. Për më tepër, siç shpjegon Luan Shllaku në analizën e botuar nga “Riinvest”, “Çfarë miksi i energjisë na duhet?”, që të gjitha vendimet fillojnë me faktin se nuk do të ketë më investim në termocentrale të reja dhe se nuk ekziston një formë e vetme e gjenerimit të energjisë që do të bëjë ndryshimin e prodhimit të energjisë. Pra, përkundër faktit se tashmë panelet diellore dhe turbinat e erës kanë hyrë në Kosovë dhe se do të gjenerojnë një përqindje të energjisë , kjo përqindje do të mbetet e vogël dhe nuk do ta zëvendësojë thëngjillin. Kjo sjell opsionet e radhës, furnizimin e Kosovës me gaz natyror, qoftë në lidhjen TAP nga Azerbajxhani, qoftë me gazsjellësin “amerikan” të vendosur në Aleksandropolis të Greqisë që sjell gazin deri në Shkup për të vazhduar për në Prishtinë.
Po ashtu janë dy opsione, të cilat mendoj se meritojnë më shumë vëmendje dhe përkrahje. Njëri, ai që për gjeneratat e reja është i panjohur, por që në vitet shtatëdhjetë ka ekzistuar, shndërrimi i thëngjillit në gaz sintetik. Ky është opsion tashmë i verifikuar me teknologji të avancuar në Dakotën Veriore të SHBA-së (e Kinë), dhe në kushte ideale në Kosovë do të mbulonte (si një tranzicion 20-vjeçar) nevojat e veta elektroenergjetike, duke zvogëluar në masë të dukshme ndotjen e ambientit nga Kosova A dhe B.
I dyti është bashkinvestim me Republikën e Shqipërisë në kapacitetet hidroenergjetike të Shqipërisë. Kosova kështu do të arrinte të kishte në bilancin e vet një sasi bukur të madhe e të sigurt energjie elektrike nga burimet e ripërtëritshme (hidrike).
Në mendjen time, qeveria e ardhshme duhet të përgatitet që të kërkojë ndihmë – jo në formë asistence por në formë përgatitjeje për investim nga SHBA-ja e nga Shqipëria. Me SHBA-në, biseda do të duhej të përqendrohej në mënyrën se si të ndërtohet një ndërmarrje si ajo e Dakotës Veriore në fushat e thëngjillit në Kosovë, me teknologjinë më të avancuar. Me Shqipërinë, biseda do të duhej të përqendrohej në një model investimi në hidroenergji, sikur është bërë në kaskadat e Skavicës nga Qeveria norvegjeze.
Dakota dhe Skavica – po i përmend si modele – do t’i jepnin Kosovës siguri energjetike deri më 2050, duke zvogëluar dukshëm ndotjen dhe duke e përgatitur vendin për kalim në një gjendje të plotë dekarbonizimi.
4.
Çfarëdo vendimi që do të marrë Kosova për energjinë, duhet të bëhet në mënyrë urgjente nga Qeveria, e cila do të formohet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të vitit të ardhshëm. Ky do të jetë vendimi më strategjik zhvillimor që mund të marrë një qeveri dhe reperkusioni i vendimit (apo mosmarrjes së vendimit) është aq i madh sa në listën prej 1 deri në 10 të pyetjeve që do t’u bëhet partive nga ana e qytetarëve dhe medieve, vendimi për energjinë do të meritonte të ishte në tri vendet e para.
Qytetarët e mediet, në fushatën e cila tashmë po zhvillohet me të madhe e me drejtim bukur të gabuar fyerjesh e ligjërimesh të pavërteta, do të duhej t’u shtronin pyetjen themelore çdokujt që pretendon ta marrë pushtetin: çfarë do të jetë vendimi juaj për energji, kur do ta merrni dhe si?/ KOHA