Kosova e Ballkani Perëndimor janë tash në shoqëri me luftën e ftohtë me Kinën dhe ndërprerjen e luftës në Ukrainë e Lindje të Mesme. Mirë se vini në konturat e rendit të ri botëror.
1.
Ka kohë që kanë filluar ethet evropiane për zgjedhjet e rëndësishme presidenciale. Fjala është për zgjedhjet presidenciale amerikane dhe ky fakt flet mjaft për të gjithë ne evropianët – portugezët, francezët, estonezët, kosovarët, ukrainasit – për vetë faktin e nënkuptueshëm se zgjedhja e presidentit amerikan ka ndikim në jetët tona. Për holandezët e francezët, për shembull, roli amerikan qe ekzistencial në fundin e Luftës së Dytë Botërore për çlirimin e vendeve të tyre. Për estonezët, çekët e rumunët qe e një rëndësie revolucionare me rastin e shembjes së Murit të Berlinit. Për kosovarët qe ekzistenciale për t’u shpëtuar nga gjenocidi, çliruar nga pushtimi i Serbisë dhe për të krijuar shtet të pavarur. Për ukrainasit sot, SHBA-ja është faktori, pa të cilin nuk mund të imagjinohet ardhmëria e sigurt e këtij shteti e kombi.
Për Evropën, roli i Amerikës në kontinent është bërë aq i nënkuptueshëm sa të krijojë dy perceptime të thella e kundërthënëse kolektive evropiane. Një, se ky rol do të jetë gjithnjë i njëjtë dhe ndaj, rrjedhimisht, me rëndësi vendimtare është se kush do t’i fitojë zgjedhjet më 5 nëntor. Dy, se veprimet e Amerikës janë aq të fuqishme sa zbehin autonominë e veprimeve të shteteve evropiane veç e veç apo të Bashkimit Evropian në tërësi.
Pra Amerika, në fakt, shndërrohet në një paravan, me të cilin evropianët në formë të suksesshme mund të fshehin mossukseset e tyre, si për shembull dialogun Kosovë–Serbi. Prej vitit 2013 deri më sot, diplomacia evropiane është përpjekur në formë të pasuksesshme për të arritur një pikë të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë që do të quhet normalizim. Mungesa e suksesit evropian ka edhe dy arsyetime “amerikane”: një, se amerikanët nuk ishin sa duhet të përfshirë dhe dy, po të ishin vendimtarë në praninë e tyre diplomatike, do të arrihej më shumë sukses. Pra, fajin pse nuk u arrit normalizimi qenkësh mungesa e diplomacisë amerikane, një përpjekje për mbulesë të suksesshme për ta fshehur paaftësinë e diplomacisë evropiane.
2.
Do të jetë natyrisht me rëndësi se kush do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale javën e ardhshme në SHBA. Ka dallime thelbësore mes kandidatëve në mënyrën se si e shohin demokracinë brenda dhe jashtë Amerikës, se si i shohin marrëdhëniet me aleatët dhe kundërshtarët e kështu me radhë.
Por, pavarësisht se kush fiton, janë disa zhvillime gjeopolitike që do të trokasin në derë të evropianëve (dhe botës në tërësi) dhe për të cilat Evropa duhet të jetë e gatshme të ballafaqohet. Nga shporta e sfidave (ku gjendet një listë e gjerë, përfshirë ndryshimet klimatike dhe inteligjencën artificiale), mund t’i nxjerrim tri: lufta e ftohtë me Kinën, ndërprerja e luftës në Ukrainë e Gazë dhe luftërat e papërfunduara në Ballkanin perëndimor. Që të gjitha e kanë, siç shihet, emërues të përbashkët luftën, përcaktim i kohës, nëpër të cilën jetojmë.
Të fillojmë nga sfida e parë. SHBA-ja tashmë ka hyrë në një luftë të ftohtë me Kinën. Kjo nuk është vetëm konkurrencë tregtare të dy ekonomive më të forta në botë. Është garë sistemesh politike e të vlerave, të cilat u ofrojnë – njëri me demokraci e tjetri pa të – zhvillim të barasvlershëm social. Dhe është garë gjeopolitike botërore, në të cilën SHBA-ja me presidentin Biden zhvilluan një sërë aleancash politike e ushtarake në Paqësor që duhet ta mbrojnë rendin botëror ashtu si ishte deri vonë.
Kushdo të jetë në krye të SHBA-së do ta vazhdojë luftën e ftohtë me Kinën dhe Kina do ta zhvillojë me këdo që të jetë president a presidente amerikane. Evropa, si dhe një pjesë e madhe e botës, nuk do të pyetet a e do apo jo këtë luftë të ftohtë, do të përfshihet apo t’i ndiejë pasojat e saj, me apo pa vullnet.
Për Evropën, lufta e ftohtë me Kinën është sfidë thelbësore, prej industrisë automobilistike, deri te siguria kibernetike. Për më tepër, ka edhe karakter identitar, përderisa ka brenda shtete evropiane, brenda dhe jashtë BE-së, në të cilat është zhvilluar bindja se, sikur në Kinë, për zhvillim ekonomik nuk është e nevojshme demokracia.
Sfida për Evropën nuk është se si t’i ikë luftës së ftohtë me Kinën, por si t’i integrojë interesat e veta në anën e konfliktit, në të cilën do të gjendet, atë transatlantike.
3.
Sfida e dytë ka të bëjë me dy luftëra, në Ukrainë dhe Gazë (e tutje në Lindje të Mesme) që janë duke u zhvilluar në kontinente të ndryshme, por që kanë disa emërues të përbashkët, prej të cilëve kryesori është se nuk do të përfundojnë, por mund të ndalen përkohësisht. Dhe, mënyra se si ndalen, do të tregojë zhvillimet e viteve të ardhshme përtej.
Evropa, me shtete në BE dhe jashtë saj, ka përkrahur Ukrainën dhe Izraelin. Gjatë vitit të ardhshëm, Ukraina do të jetë e pjekur për armëpushim dhe kushdo që të jetë president amerikan do ta përkrahë bindjen se në atë luftë nuk do të ketë fitues ushtarak. Izraeli mund ta shkatërrojë edhe ndërtesën e fundit në Gazë, por do të ballafaqohet sërish me njohurinë se, për të fituar ushtarakisht, do t’i duhet ta vrasë apo dëbojë edhe palestinezin e fundit, që do të ishte “zgjidhje përfundimtare”, gjegjësisht gjenocid. Pra, do të duhet një ndërprerje luftimesh me palestinezët në Gazë, ndërprerja e pastrimit etnik në Bregun Perëndimor dhe ndërprerja e luftës në Liban plus një armëpushim i heshtur me Iranin.
Sfida për Evropën mund të jetë që më 2025 të gjendet para dilemës historike të të përkrahurit të një status-quo-je të re në Lindje, në të cilën një pjesë e Ukrainës do të administrohet nga udhëheqja e zgjedhur demokratike, ndërsa një pjesë tjetër do të jetë e administruar nga Rusia. Marrëveshja që arrin të legjitimojë një gjendje të këtillë (të quajtur të përkohshme), do të përcaktojë në masë të madhe një pjesë të arkitekturës të sigurisë evropiane për dhjetëvjetëshit e ardhshëm. Dhe, një Marrëveshje e këtillë nuk bën të shikohet jashtë Luftës së ftohtë me Kinën. Kufiri (i përkohshëm) mes Ukrainës ruse dhe asaj të pavarur mund të jetë për një kohë të konsiderueshme kufiri mes botës transatlantike dhe asaj euro-aziatike.
Sfida tjetër, ajo e Gazës (dhe Lindjes së Mesme) është ajo e momentit përcaktues, të arritjes së armëpushimit me apo pa perspektivën e krijimit të shtetit palestinez. Evropa që në luftën e Ukrainës ka shprehur përkrahjen e ukrainasve si përkrahje të vlerave të humanitetit e demokracisë në luftën e Gazës ka përkrahur Izraelin edhe përgjatë ndëshkimit kolektiv të popullit palestinez me repriza të përditshme të krimeve kundër njerëzimit.
Rruga e qartë drejt formimit të shtetit palestinez do të ishte rrugë e qartë edhe drejt një arkitekture të sigurisë në Lindje të Mesme që do ta bënte atë pjesë të botës transatlantike. Pa të, armëpushimi është periudhë e nevojshme vetëm për t’i riarmatosur për luftën e ardhshme.
4.
Dhe, sfida e tretë është aq evidente, sa t’i qorron sytë. Ballkani perëndimor është hapësirë e luftërave të papërfunduara. Evropa mund ta ketë të vështirë të ketë manovrim aq të shpejtë në luftë të ftohtë me Kinën, me ndërprerjen e luftës në Ukrainë e Lindje të Mesme, por gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë të një peshe dukshëm më të vogël sesa çdo krizë tjetër. Evropa si kontinent e BE-ja si forcë politike, ekonomike dhe e sigurisë, mund të merret seriozisht me këtë regjion, duke e trajtuar fillimisht si njërën prej sfidave të sigurisë së kontinentit evropian, të sfidave që fillojnë me luftën e ftohtë në Kinë, ndërprerjen e asaj në Ukrainë e Lindje të Mesme dhe përfundimin e këtyre në Ballkanin Perëndimor. Kushdo që të fitojë në Amerikë, do të jetë përgjegjësi në radhë të parë e evropianëve (këtu hyn, natyrisht edhe Britania e Madhe) që në kuadër të NATO-s, të mbahet siguria që do të garantojë transformimin politik.
Cili është emëruesi i përbashkët i kësaj ardhmërie? Këto janë konturat e një rendi të ri botëror. Evropa duhet ta integrojë veten në të./KOHA