Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu, ka biseduar me presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tri herë gjatë ditëve të fundit për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe për “kërcënimin iranian” ndaj sigurisë së Izraelit, tha zyra e Netanyahut të dielën.
“Në ditët e fundit, kam biseduar tri herë me presidentin e zgjedhur Donald Trump…për thellimin e aleancës së fuqishme mes Izraelit dhe SHBA-së”, tha Netanyahu, sipas zyrës së tij.
“Ne pajtohemi për kërcënimin iranian në çdo aspekt”, shtoi ai, sipas njoftimit.
Uashingtoni është aleati kryesor i Izraelit dhe mbështetësi më i madh ushtarak. Zgjedhjet në SHBA u mbajtën në një kohë kritike për Lindjen e Mesme, ku Izraeli është duke kryer luftë në Gazë dhe në Liban.