Deputetja e Partisë Demokratike për qarkun e Lezhës Lindita Metaliaj në Komisionin e Sigurisë u shpreh se në problematikat e emergjencës së zjarreve këtë vit, qeveria dhe ministria e mbrojtjes kanë dështuar.
Më pas Metaliaj tha se për qytetin e Lezhës, dy pikat kryesore saj janë kthyer në një kamp refugjatësh.
“Gjadri, nga një prej bazave më të mira ushtarake në rajon, është kthyer si në një burg. Edhe Shëngjini, sidomos porti, nga një zonë që mund të ishte një nga pikat më të mira turistike, është konvertuar në një kamp refugjatësh. Shëngjini është një Guantanamo e dytë. Po depozitohen e magazinohen njerëz të vendeve të treta, që janë fatkeq, që nuk kërkojnë Lezhën, por një jetë më të mirë”, tha Metaliaj.
Gjithashtu ajo hodhi akuza ndaj qeverisë dhe Ramës duke aluduar se i ka shkatërruar dy bazat ushtarake me qëllim pushtetin personal.
“Edi Rama për të mbajtur pushtetin e tij, po zëvendëson qytetarët e Lezhës me afrikanë. S’po kërkojnë burg e mur me shtatë metra të lartë me hekura. Shohim anije që vijnë me 16 refugjatë, ikin më pas me 6, vjen një tjetër me 8 refugjatë. Duam një përgjigje për Gjadrin dhe Shëngjinin”, tha deputetja.









