-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

The Guardian: Marrëveshja me Shqipërinë mund të jetë katastrofë politike për Melonin

Kryesoret

“Marrëveshja e Italisë për azilin në Shqipëri është kthyer në një katastrofë politike për Giorgia Melonin”. Me këtë titull e përditshmja britanike “The Guardian” i ka kushtuar një analizë asaj që po ndodh me qendrat e Gjadrit. Në shkrimin e Lorenzo Tondo thuhet se pakti u përshëndet fillimisht si përparim i BE-së për migracionin, por gjithçka po shkon drejt zhbërjes pas vendimit të gjykatave italiane që mbështeten tek e drejta e BE-së. Më poshtë shkrimi i plotë.

Një marrëveshje shumëmilionëshe për migracionin midis Italisë dhe Shqipërisë që synon frenimin e mbërritjeve u prezantua nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si një model i ri për mënyrën e krijimit të qendrave të përpunimit dhe ndalimit për azilkërkuesit jashtë BE-së.

Objektet në Shqipëri duhej të prisnin deri në 3000 burra të gjetur në ujërat ndërkombëtare teksa kalonin nga Afrika në Evropë. Por duket se as Von der Leyen dhe as kryeministrja e ekstremit të djathtë të Italisë, Giorgia Meloni, nuk i kishin marrë parasysh ligjet ekzistuese.
Vetëm një muaj pas hapjes së shumëpërfolur, vetëm 24 azilkërkues janë dërguar në Shqipëri dhe asnjë nuk ka mbetur atje tani; 5 kaluan më pak se 12 orë në një qendër paraburgimi, ndërsa pjesa tjetër qëndruan për pak më shumë se 48 orë.

Të gjithë u transferuan në Itali pasi gjyqtarët italianë e konsideruan të paligjshme ndalimin e tyre në Shqipëri përpara riatdhesimit në vende, si Bangladeshi dhe Egjipti, të konsideruara “të sigurta” nga Roma. Duke vepruar kështu, gjyqtarët u mbështetën në një vendim të 4 tetorit nga Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian (GJED) se një vend jashtë bllokut nuk mund të shpallej “i sigurt” nëse i gjithë territori i tij nuk konsiderohej “i sigurt”.

Sikleti i Italisë mbi skemën, e sulmuar nga partitë opozitare si një “dështim i plotë” që do të kushtojë rreth 1 miliardë euro (830 milion £) gjatë 5 viteve, ka nxitur përplasje midis autoriteteve dhe gjyqtarëve, të cilët janë akuzuar nga partitë e ekstremit të djathtë për pengim të projektit.

Megjithatë, analistët thonë se Meloni dhe aleatët e saj e dinin që në fillim se ekzistonte rreziku që marrëveshja të mos funksiononte, me vendimin e GJED-së që ishte vetëm një nga shumë çështje ligjore. Chiara Favilli, profesoreshë e së drejtës së Bashkimit Evropian në Universitetin e Firences, thotë: “Që nga viti 1993, disa shtete evropiane kanë propozuar zgjidhje të ngjashme me marrëveshjen e Italisë me Shqipërinë. Megjithatë, ata gjithmonë janë refuzuar. Marrëveshjet si ajo mes Shqipërisë dhe Italisë janë të papajtueshme me disa norma themelore”.

Muaj përpara nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, shumë OJQ, akademikë dhe ekspertë kishin ngritur dyshime nëse ajo mund të konsiderohet humane apo edhe e ligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.

Thirrjet e tyre u injoruan. Mbështetësit këmbëngulën se skema ishte më humane sesa dërgimi i njerëzve në vendet në zhvillim, siç do të kishte bërë skema e dëbimit të qeverisë së fundit të Mbretërisë së Bashkuar, kur tashmë shteti italian është përgjegjës për fatin e këtyre njerëzve dhe respektimin e disa normave. Ajo është më pak problematike se sa Praktika aktuale e BE-së për dhënien e parave për vendet e Afrikës Veriore në mënyrë që të përmirësojnë kontrollet e tyre kufitare.

Meqenëse duket se ajo do të përballet me sfida të mëtejshme ligjore, marrëveshja po bëhet një fiasko. Sipas një sondazhi të fundit, 55% e italianëve nuk e pëlqejnë atë.

Besueshmëria është në rrezik për një qeveri që e ka bërë emigracionin një çështje qendrore të fushatës dhe që në të kaluarën ka kritikuar paraardhësit për shpenzimin e parave publike për menaxhimin e krizës së migracionit. (Transporti përmes detit në një anije ushtarake italiane të 8 burrave që mbërritën në Shqipëri fundjavën e kaluar kushtoi 250 mijë €, më shumë se 31 mijë € për një azilkërkues në bord.)

Përballë rënies graduale të marrëveshjes, qeveria italiane është hedhur në sulm ndaj gjyqësorit sipas mënyrës tradicionale, duke i përshkruar ata që vendosën kundër marrëveshjes si “magjistratë të politizuar” që “do të donin të shfuqizojnë kufijtë e Italisë”.

Edhe Elon Musk është shprehur, duke mbështetur miken e tij Meloni dhe duke denoncuar vendimin e magjistratëve duke deklaruar: “Këta gjyqtarë duhet të largohen”. Në një lëvizje shumë të pazakontë, presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, i dha Musk një përgjigje acide: “Italia di si të kujdeset për veten”.

Javën e kaluar, policia forcoi mbrojtjen për Silvia Albanon, një nga 6 gjyqtaret e seksionit të imigracionit të gjykatës së Romës, e cila më 18 tetor nuk aprovoi ndalimin e azilkërkuesve në Shqipëri. Ajo ka marrë kërcënime me vdekje që nga vendimi.

Stefano Musolino, zëvendësprokuror i Reggio Calabria dhe anëtar i shoqatës kombëtare të magjistratëve, u shpreh: “Ajo që nuk kuptohet është se nëse një gjykatës do të autorizonte riatdhesimin ose ndalimin e emigrantëve në Shqipëri, në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare që detyrojnë Italinë, verdikti i tyre do të ishte i paligjshëm”.

Në një kohë kur qeveria po përpiqet të balancojë buxhetin – duke shkurtuar fondet për arsimin, shëndetësinë dhe sigurimet shoqërore – partitë opozitare e kanë përshkruar marrëveshjen si një “katastrofë financiare”.

Elly Schlein, liderja e Partisë Demokratike të Italisë, u shpreh: “Meloni rrit taksat dhe shpërdoron gati 1 miliard euro nga paratë e taksapaguesve në qendrat e emigrantëve në Shqipëri. Ne mund t’i kishim përdorur ato për të forcuar shërbimin kombëtar shëndetësor ku më shumë se 4.5 milionë njerëz nuk janë në gjendje të marrin trajtim çdo vit. Tani është koha që Meloni të çmontojë qendrat. Pastaj, është koha që ajo t’u kërkojë falje të gjithë italianëve.”

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit