Sonte do të ndodhë superhëna e fundit e plotë e vitit 2024, e njohur edhe si “Hëna e Kastorit”. Ky fenomen do të jetë i dukshëm natën e së premtes, më 15 nëntor, dhe do t’u ofrojë atyre që do të kenë mundësinë të shohin qiellin një pamje mahnitëse. Megjithatë, kushtet e motit në disa rajone, me vranësira dhe mundësi shiu, mund të ndikojnë në shikueshmërinë e këtij spektakli natyror.
Pse quhet “Hëna e Kastorit”? Emri ka të bëjë me traditat e fiseve amerikane vendase, të cilët e kanë lidhur këtë hënë me sjelljet e kafshëve. Gjatë kësaj periudhe, kastorët kthehen në foletë e tyre pasi kanë mbledhur ushqimin për dimër. Një interpretim tjetër lidhet me kurthimin e kastorëve nga fiset vendase për të përdorur leshin e tyre në ndërtimin e veshjeve, pasi kjo ishte periudha kur kënetat ngriheshin dhe bënin gjuetinë më të vështirë.
Përveç kësaj, hëna e plotë e nëntorit është e njohur edhe si “Digging” ose “Scratching Moon”, për shkak të sjelljeve të kafshëve që kërkojnë ushqim dhe gërmojnë strehimoret e tyre dimërore. Në disa kultura, e njejta hënë është quajtur “Deer Rutting Moon”, duke iu referuar periudhës kur drerët kërkojnë një partnere për riprodhim.