Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, komentoi protestën e opozitës të thirrur për nesër, 19 nëntor, para Kuvendit, në ditën e miratimit të Buxhetit 2025. Gjekmarkaj theksoi se protesta nuk është për “sy e faqe”, por për të mbrojtur dinjitetin e pensionistëve, të cilët, sipas tij, meritojnë të jetojnë me dinjitet dhe të marrin atë që u takon, ndërsa theksoi se paratë që duhej të merrnin shkojnë te oligarkët dhe korrupsioni.
Ai shtoi se, përveç pensionistëve, kjo protestë është një angazhim qytetar më të gjerë, që kërkon zgjidhje për padrejtësinë dhe kërcënimin ndaj zgjedhjeve të lira. Gjekmarkaj theksoi se situata aktuale kërkon angazhim më shumë qytetar sesa politik.
“Varieteti i formave është i shumtë. Nuk do ta rreshtim për asnjë çast përpjekjen tonë për ti dhënë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shqipëria është një vend që zien sepse sundohet nga padrejtësia, i rrezikohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Administrata është bërë një me pushtetin. Situata e tillë kërkon më shumë angazhim qytetar sesa politik”, tha Gjekmarkaj.