Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar për vrasjen tragjike të 14-vjeçarit në Tiranë, duke shprehur ngushëllimet e tij për familjen e të ndjerit dhe uruar shërim të shpejtë për nxënësin tjetër të plagosur.
Në mesazhin e tij, Begaj bëri apel për një reflektim të thellë të shoqërisë shqiptare në edukimin e brezit të ri, duke theksuar nevojën për të ndaluar promovimin e dhunës në rrjetet sociale dhe për të orientuar fëmijët dhe të rinjtë drejt modeleve pozitive.
Mesazhi i plotë i Presidentit të Republikës:
“Ndarja nga jeta e 14-vjeçarit është për të gjithë ne një dhembje e madhe.
Ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij!
Gjithashtu, uroj nga zemra shërim të shpejtë e të plotë për nxënësin e plagosur!
Kjo ngjarje e rëndë na shqetëson dhe na ngarkon me përgjegjësi për mjedisin ku po rrisim dhe edukojmë fëmijët tanë, duke përfshirë shoqërinë, shkollën dhe familjen.
Si shoqëri, kemi një sfidë të madhe përpara: Të frenojmë promovimin e dhunës në rrjetet sociale dhe hapësirën online, si dhe të ndalojmë çdo lloj shfaqje të dhunshme në shoqërinë tonë.
Fëmijët dhe të rinjtë tanë meritojnë të orientohen drejt modeleve pozitive të punës, shkollimit dhe arritjeve nëpërmjet tyre.