Policia ka zbardhur dinamikën e ngjarjes tragjike që ndodhi sot në Tiranë, ku një 14-vjeçar humbi jetën dhe një tjetër u plagos pas një konflikti të përgjakshëm mes adoleshentëve. Sipas informacioneve të fundit, viktima dhe i plagosuri ishin nxënës të shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, ndërsa autorët ishin bashkëmoshatarë të tyre nga një shkollë tjetër.
Ngjarja ndodhi pas orës 13:00, kur dy autorët, të cilët kishin pritur që nxënësit të mbaronin mësimin, i sulmuan ata në një rrugicë rreth 200-300 metra larg shkollës. Konflikti, i cili u zhvillua në një minutë e 30 sekonda, rezultoi tragjik, pasi njëri prej nxënësve u godit 6 herë me thikë dhe humbi jetën në vend, ndërsa tjetri u plagos rëndë, duke pësuar 2 goditje dhe është në gjendje stabile në spitalin “Trauma”.
Viktima dhe i plagosuri nuk ishin nxënës problematikë dhe nuk ishin të përfshirë në ndonjë sherr paraprak. Dyshimet janë se konflikti ka pasur origjinë nga një mosmarrëveshje në rrjetet sociale. Policia ka shoqëruar një prej autorëve të dyshuar dhe po punon për zbardhjen e mëtejshme të ngjarjes.
Në njoftimin e policisë, bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:10, në rrugën “Qema Stafa”. Aktualisht, grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e plotë të motiveve të konfliktit dhe identifikimin e autorëve të tjerë të mundshëm.