Në fillim të muajit dhjetor qeveria do të paraqesë planin për uljen e çmimit të energjisë elektrike. Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë fjalës së saj në Kuvend deklaroi se furrat e bukës prej një viti gëzojnë çmim preferencial për energjinë elektrike.
“Furrat që prodhojnë vetëm bukë marrin çmimin preferencial prej 7.6 lekë për kilovat-orë, ato që kanë edhe shërbimin e pastiçerisë paguajnë 9.5 lekë për kilovat-orë, ndërsa furrat që ofrojnë edhe shërbim “kafe” e kanë çmimin 12 lekë për kilovat-orë.
Kryeministri ka lënë porosi të shikohet mundësia e uljes së energjisë duke plotësuar kushtet e kërkesat e BE-së për Agjendën e Gjelbër. Kemi bërë analizën dhe më 1 dhjetor do të kemi informacionin e plotë për sa i përket rishikimit dhe uljes së çmimit sipas kritereve të BE-së. E kuptoj narrativën e egër politike”, tha Balluku.