Ditën e djeshme 14-vjeçari Martin Cani u vra me thikë gjatë një sherri mes adoleshentësh.
Kjo vrasje ka tronditur të gjithë opinion në vend. Kreu i FSHF-së Armnda Duka i shpreh ngushëlllimet familjes së Martinit për këtë humbje të madhe dhe ndihet i tronditur nga kjo ngjarje.
Duka shprehet thellësisht i trishtuar për atë që ndodhi pasi ëndërrat e Martinit për futbollin iu ndërprenë padrejtësisht.
“Miqtë e mi!
Nuk do doja e nuk do dëshiroja kurrë më që të ndaja me ju mesazhe të tilla!
Aq më teper sot, për humbjen e tmerrshme të Martinit 14-vjeçar, i cili prej vitesh kishte zgjedhur si shumë shokë të tij të ndiqte pasionin për futbollin. Fatkeqësisht kjo ëndërr iu ndërpre padrejtesisht në mes.
Sinqerisht dhe tejet i tronditur, nuk gjej fjalë në këto momente për të ngushëlluar familjen dhe prindërit e djaloshit të vogël, futbollistit të ekipit U-15 të Dinamo City, Martin Cani!
Në emrin tim personal, të familjes time, si dhe në emër të komunitetit tonë të madh të futbollit, thellësisht i trishtuar nga ç’ka ndodhi e ç’ka mësuam, do të doja t’i qëndronim sadopak afër dhimbjes së madhe të prindërve, duke u përcjellë ngushëllimet tona!
Zoti i dhëntë sa më shumë forcë për ta përballuar këtë këputje shpirti!
Një kampion i vogël tashmë do ta ndjekë nga lart pasionin e tij, ekipin e tij dhe shokët e tij!
Ndërkohë ne si komunitet futbolli, si shoqëri, e si prindër na shtyn akoma më shumë obligimi dhe angazhimi maksimal për të qëndruar e punuar sa më shumë me fëmijët e dashur në pasionet dhe ëndrrat e tyre.
Pusho i qetë Martin!
Shokët dhe futbolli nuk do të të harrojnë kurrë!”, shkruan Duka.