Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka deklaruar se lufta në Ukrainë mund të përfundojë menjëherë nëse presidenti rus, Vladimir Putin, ndalon agresionin.
Në një intervistë për BBC, Starmer theksoi se Ukraina ka vuajtur për më shumë se 1000 ditë nga pushtimi rus dhe se Britania do të vazhdojë të mbështesë vendin në luftën e tij për mbrojtje.
Ai shtoi se NATO dhe aleatët perëndimorë nuk mund të lejojnë që Putin ta fitojë këtë luftë.
“Jo, ne nuk jemi në luftë, por Ukraina sigurisht që është, sepse Ukraina është pushtuar nga Rusia dhe ajo luftë ka vazhduar për pak më shumë se 1000 ditë.”
“1,000 ditë agresion nga Rusia dhe 1,000 ditë sakrificë për Ukrainën, dhe kjo është arsyeja pse ne kemi thënë vazhdimisht se qëndrojmë pranë Ukrainës. Ne nuk mund të lejojmë që Putini ta fitojë këtë luftë”, tha kryeministri.
Ndërkohë, Moska ka përdorur raketa balistike hipersonike për të paralajmëruar Perëndimin, duke rritur tensionet ndërkombëtare.