Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho në një deklaratë për mediat u shpreh se buxheti i vitit 2025 thellon më tej varfërinë e shqiptarëve. Xhixho deklaroi se pjesa më e madhe e buxhetit 2025 shkon për punët publike.
“Pensionistët shqiptarë janë më të varfrit në rajon me një pension mesatar 160 euro, ndërsa në Kosovë është 340 euro, në Malin e Zi është 450 euro, në Maqedoninë e Veriut është 325 euro dhe në Serbi është 390 euro.Indeksimi me vetëm 4.1% është tallës në krahasim me rritjen 20% që bëri qeveria e Kurtit ne Kosovës, me një buxhet sa gjysma e atij që ka qeveria e Edi Ramës. Shqiptarëve u merren paratë gjatë gjithë vitit, por ky buxhet nuk jep asgjë mbrapsht. Shqipëria është vendi me normën më të lartë të TVSH-së për ushqimet me 20%, në një kohë kur Kosova e ka 8%, Mali i Zi 7% e Serbia 10%. Para ka, por ato nuk shkojnë te pensionistët. Sipas Eurostat, për një person të rritur mbi 65 vjeç ose në pension, niveli i varfërisë për Shqipërinë vlerësohet në 69%, për Serbinë në 48.9% dhe Malin e Zi 27.6%.”, tha Xhixho.
Ajo theksoi se bonuset që qeveria ka parashikuar janë lëmsoh elektorale, pasi qeveria po tallet sërish dhe nuk po u jep asnjë shpresë dhe familjeve në nevojë.
“Në pjesën më të madhe të tij, buxheti prej 8.2 miliardë eurosh shkon për projekte infrastrukturore, tendera ku kostot fryhen në mënyrë fiktive, dhe paratë shkojnë aty ku kanë shkuar gjithnjë: në xhepat e klientëve të qeverisë. Ky është buxheti që lë shqiptarët pa para, pa shërbime shëndetësore dhe pa arsim, duke i detyruar edhe ata që nuk e kanë menduar deri tani largimin, të bëjnë gati valixhet! Ne do të propozojmë amendimet tona si Parti e Lirisë, në mënyrë që nga buxhet në shërbim të oligarkëve, të kthehet në buxhet në shërbim të qytetarëve.”, tha Xhixho.