Qeveria e Kosovës e ka bërë hapin e parë drejt hapjes së një fabrike për prodhimin e municionit dhe një laborator për dizajnimin e fluturakeve pa pilot. Nënshkrimin e vendimit e konfirmoi kryeministri Albin Kurti në hapjen e mbledhjes së Qeverisë të mërkurën, që përkon me shënimin e Ditës së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Mbledhja e sotme përkon me Ditën e Forcës, dhe këtë po e shënojmë me një vendim të rëndësishëm qe e nënshkrova para mbledhjes dhe një hap të domosdoshëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Me këtë vendim do të themelojmë komisionin ndërministror për hapjen e fabrikës së municionit dhe laboratorin për dizajnimin e fluturakeve pa pilot. Me sot hedhim hapat e parë për ngritjen e industrisë ushtarake”, ka theksuar Kurti.
Qeveria nuk e ka bërë të ditur koston për hapjen e dy industrive dhe llojin e municionit që do të prodhohet. Sipas ministrit Maqedoncit, do të inkurajohen edhe kompanitë private që të hapin fabrika për prodhimin e municionit.