Lideri i opozitës Sali Berisha në takimin online me bashkatdhtarët shqiptarë tha se Partia Demokratike është e vendosur për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me Greqinë. Berisha shprehet se me Greqinë ka dominuar respekti reciprok dhe kontributin më të madh në këto marrëdhënie e kanë dhënë emigrantët shqiptarë.
“Ju ndërtuat jetën tuaj në Greqi, dhatë kontribut të madh në zhvillimin ekonomik të këtij vendi me mundin dhe djersën tuaj. Krijuat një vend të respektuar dhe të nderuar në komunitetet ku jetoni.
Keni kontribut të çmuar në jetën shoqërore, kultore, të gjithanshme të këtij vendi.Ecuria e statusit tuaj, ndryshimet kanë qenë të pamohueshme dhe pozitive.
Të gjitha këto në radhë të parë për meritën tuaj, për kontributin tuaj dhe dua të theksoj se ndoshta rrallë mund të gjesh dy kombe më të pleksur njëri me tjetrin se grekët dhe shqiptarët dhe ky është një faktor i pamohueshëm.
PD është e vendosur për marrëdhënie të konsoliduara të fqinjësisë dhe miqësisë së mirë me vendin ku ju jetoni.
Ne arritëm në vitet e para pas një ndërprerje shumë të gjatë të marrëdhënieve mes dy vendeve, arritëm të firmosim traktatin e miqësisë dhe ai traktat i firmosur nga presidenti Stefanopulos i kohës dhe unë, ishte dëshmi e një vullneti pozitiv për të ndërtuar një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe miqësor mes dy vendeve.
Ai traktat trajtonte problematikat që ekzistonin dhe orientonte zgjidhjet e tyre.”, tha Berisha.