Pjetër Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili është dënuar për krime lufte nga trupi gjykues i Gjykatës Speciale, është urdhëruar për zhdëmtim të viktimave të tij në shumën prej 208 mijë eurosh.
Shala ishte dënuar me 18 vjet burgim më 16 korrik nga Gjykata e Specializuar për krime lufte e Kosovës, me seli në Hagë.
Ai është shpallur fajtor për ndalim arbitrar dhe torturë kundër së paku 18 personave, dhe në pikën e vrasjes së paligjshme kundër një personi, më ose rreth datës 5 qershor 1999, në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë.
Sipas Gjykatës, viktimat kanë qenë kryesisht shqiptarë të Kosovës, që kanë pësuar dëme nga shqiptarë të tjerë të Kosovës.
Shala, i njohur me nofkën “Ujku”, është deklaruar më parë i pafajshëm për të gjitha akuzat.
Në shpalljen e urdhrit për zhdëmtim më 29 nëntor 2024, gjykata konstatoi se janë tetë viktima, që do t’u takojë dëmshpërblimi.
Viktima e parë, me dëme direkte, sipas Gjykatës, është e paraparë të pranojë 100 mijë euro dëmshpërblim për dëme fizike, mendore dhe materiale.
Kjo pasi sipas vendimit paraprak, me të cilin u dënua Shala, viktima e lartpërmendur ishte ndaluar arbitrarisht, me ç’rast ishte keqtrajtuar fizikisht dhe psikikisht me pasoja afatgjate.
Në anën tjetër, shuma e mbetur është ndarë në kompensime individuale dhe kolektive për shtatë viktimat e tjera, jo të drejtpërdrejta, përkatësisht familjarë të viktimave nga gjykimi i Shalës.
Gjykatësja e Gjykatës Speciale, Mappie Veldt-Foglia gjatë shqiptimit të vendimit tha se sa i përket ekzekutimit, “përgjegjësia për pagesën bie ekskluzivisht te Shala”.
Megjithatë, sipas saj, nga informacionet që ka marrë paneli gjyqësor, Shala aktualisht nuk ka mundësi materiale për ta kryer këtë kompensim.
Andaj, sipas gjyqtares, aktualisht mbetet e paqartë mënyra se si do të kompensohen këto viktima sipas urdhrit për zhdëmtim.
“Kosova nuk ka marrë ndonjë hap për t’u përgatitur për nevojat për të siguruar zhdëmtimet e viktimave nga rastet e Gjykatës Speciale”, tha ajo.
Gjykata Speciale ka bërë të ditur se do të caktojë një gjyqtar specifik për monitorimin e zbatimit të urdhrave për zhdëmtim, si dhe u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës të sigurojnë fonde për zhdëmtimin e viktimave sipas vendimeve të kësaj gjykate.
Shala është personi i katërt që tashmë ka marrë dënim nga kjo gjykatë, ndërsa i dyti ndaj të cilit është shqiptuar urdhër për zhdëmtim të viktimave./REL