Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci ka thënë se reagimet e Serbisë në lidhje me sulmin që ndodhi mbrëmjen e djeshme në veri të Kosovës ngjallin dyshime se akti ka qenë i parapërgatitur.
“Për dallim të 24 shtatorit të vitit të kaluar, kësaj radhe reagimi nga Serbia dhe Lista Sërpska ka qenë shumë i shpejtë, më i shpejtë se reagimi që kemi bërë ne në Kosovë dhe kjo me të vërtetë për mua tregon një pritshmëri për këto ngjarje, pikërisht nga këto institucione në Serbi, por edhe Lista Sërpska”, ka dhënë Maqedonci.
Sipas tij ata për të shfajësuar veten kanë fajësuar dikë tjetër.
“Nuk dua të aludoj, pasi nuk kemi një hetim të përfunduar, mirëpo vlerësoj se gjithë ky reagim ka lënë shumë dyshime se e gjitha ka qenë e parapërgatitur dhe në kuadër të narrativit për të shfajësuar veten dhe për të fajësuar dikë, është shfrytëzuar një format i luftës së tillë”, ka shprehur ministri i mbrojtjes.