-sidi education-spot_img
6.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Shpërthimi në veri të Kosovës/ Kurti takon shefin e KFOR-it, policia shton masat

Kryesoret

Një shpërthim që ka ndodhur mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Nga ky shpërthim nuk ka pasur viktima, sipas autoriteteve të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar fqinjin verior të Kosovës, Serbinë, për “sulm kriminel dhe terrorist”, i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.

Ndërkaq, përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë kanë dënuar fuqishëm shpërthimin në Ibër-Lepenc.

Kurti ka thënë në një konferencë të jashtëzakonshme për media, para mesnatës, se përmes sulmit është munduar të rrezikohet furnizimi i Kosovës me ujë dhe me energji elektrike.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që “të jenë të qetë dhe të ndjekin në vazhdimësi njoftimet” zyrtare nga organet e vendit, të cilat ka thënë se “janë të angazhuara në menaxhimin e situatës dhe rikuperimin e dëmit”.

Shefi i ekzekutivit kosovar ka deklaruar se shpërthimi në Zubin Potok është sulm terrorist, që autoritetet e Kosovës besojnë se “vjen nga bandat e dirigjuara e të orkestruara nga Serbia, e cila ka interesim dhe aftësi për të shkaktuar sulme e dëmtime të tilla”.

Si pasojë e dëmtimit të kanalit të Ibër-Lepencit, Kurti ka thënë se shumë pjesë të Kosovës mund të mbeten pa energji elektrike në mëngjesin e 30 nëntorit, ndërsa disa qytete dhe një pjesë e qytetit të kryeqytetit, Prishtinë, mund të ngelen pa ujë të pijshëm.

Kurti ka deklaruar se “nuk mund të ketë adresë tjetër për fajësi për organizimin dhe orkestrimin e sulmit, përveç Beogradit zyrtar dhe strukturave kriminale me në krye Millan Radoiçiqin”, të cilat, ka shtuar ai, mbështeten nga institucionet serbe dhe nga presidenti Aleksandar Vuçiq.

Ai ka thënë se Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës të shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit, “është i lirë në Serbi dhe dirigjon me elementet paramilitare atje”, të cilat, siç është shprehur ai, urrejnë Kosovën dhe popullin e saj.

Kurti ka thënë se incidenti në Zubin Potok është shpërthimi i tretë në tre ditët e fundit, përmes të cilit, sipas tij, “është synuar të nxitet frika dhe pasiguria në tre komunat në veri, për ta përshkallëzuar situatën në mbarë vendin”.

“Përpjekjet e këtilla do të ngelen të dëshpëruara. Kushtetutshmëria, sundimi ligjit, rendi dhe populli, republika jonë, nuk do të mund të mposhten asnjëherë nga askush”.

Kurti ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, për “mbështetjen e tyre ndaj vendit”.

Ai ka thënë se menjëherë pas konferencës do ta takojë komandantin e misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR, dhe se do të mbahet një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

Çfarë është Ibër-Lepenci?

Ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” është shoqëri aksionare me seli në Prishtinë dhe është ndërmarrje shumëfunksionale e cila furnizon industrinë, ujësjellësit dhe bujqësinë me ujë të papërpunuar si dhe prodhon energji elektrike nga Hidrocentrali i Ujmanit.

Bazuar në dokumentet qeveritare, nga sistemi i Ibër-Lepencit në Ujman në Zubin Potok, me ujë të pijshëm furnizohet veriu i Kosovës, por edhe Prishtina me rrethinë. Ky hidrosistem gjithashtu furnizon me ujë termocentralet në Obiliq, që përdoret për ftohjen e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B, ndërsa përveç kësaj, uji nga liqeni akumulues i Ujmanit përdoret edhe për ujitjen e sipërfaqeve bujqësore. Vetë kanali Ibër-Lepenc ka një gjatësi prej 49 kilometrash – nga liqeni i Ujmanit deri në Prishtinë dhe përfundon në liqenin e Badocit afër Prishtinës.

Nga Ujmani furnizohen me ujë 7 komuna, në jug dhe veri të lumit Ibër; Mitrovica e Jugut dhe e Veriut, Zveçani, Vushtrria, Gllogoci, Skenderaj dhe një pjesë e Prishtinës.

Pos tyre, termocentralet Kosova A dhe B, Trepça dhe Ferronikeli varen tërësisht nga furnizimi me ujë nga ky liqe artificial. Po ashtu, prodhohen edhe 32 Megavat (MW) rrymë në hidrocentralin e Vallaçit.

Në lidhje me këtë shpërthim, nuk pati reagime të menjëhershme në Serbi.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit, tha se e dënon ashpër dëmtimin e kanalit të ujit në fshatin Varragë, duke e quajtur atë “akt absolutisht kundër interesave të popullit serb”.

Partia serbe tha se dëmtimi i kanalit të ujit, përveç se ka rrezikuar furnizimin me ujë të qytetarëve, po ashtu “ka shkaktuar shqetësim te serbët në veri të Kosovës”.

Më herët, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, që doli në vendngjarje, tha se shpërthimi është dëgjuar para orës 19, dhe se një pjesë e Ibër-Lepencit, që konsiderohet si infrastrukturë kritike, është dëmtuar.

Ai e cilësoi si “akt terrorist” dëmtimin e kanalit të ujit, përmes së cilit tha se furnizohet edhe Korporata Energjetike e Kosovës.

Sveçla tha se institucionet janë mobilizuar që dëmet të sanohen dhe qytetarët të mos vuajnë pasojat.

“Është detyrë e domosdoshme e institucioneve të sigurisë që të hetohen terroristët që kanë kryer këtë akt terrorist dhe të sillen para drejtësisë,” theksoi ai./ REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit