Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi ka reaguar për ndarjen nga jeta të politikanit dhe krytarit të “Shoqata Tirana”, Arben Tafaj. Blushi shprehet se Arben Tafaj ishte një qytetar model e politikan dinjitoz, përfaqësues i jashtëzakonshëm i vlerave dhe traditave tiranase.
“Trishtim të thellë për ndarjen e parakohshme nga jeta të mikut tim Arben Tafaj, pinjoll i denjë i një prej familjeve më të vjetra dhe formuese të Tiranës, qytetar model e politikan dinjitoz, përfaqësues i jashtëzakonshëm i vlerave dhe traditave tiranase dhe mbrojtës i vendosur i trashëgimisë historike e kulturore të kryeqytetit, si kryetar i “Shoqata Tirana” dhe anëtar i Këshillit Bashkiak.
Shumë dhembje e pikëllim për këtë humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme të një “tironsi të vjetër”, miku dhe kolegu, që me angazhimin e tij të palodhur publik, energjinë pozitive dhe vlerat që përfaqësonte, do të kujtohet gjithmonë me respekt e mirënjohje nga të gjithë.
Ngushëllimet më të tjera për familjen e dashur Tafaj, të afërmit, bashkëpunëtorët dhe miqtë e shumtë, si edhe për të gjithë komunitetin e nderuar të tiranasve autoktonë.
Të prehet në paqen e merituar!”, shkruan Blushi.