Kryeministri Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Sarajevë, ka kritikuar pozitat e Serbisë dhe Republikës Serbe në lidhje me situatën në Ballkan. Ai u shpreh se më shumë shqiptarë jetojnë në Serbi se sa serbë në Kosovë, duke i quajtur këto pretendime të Serbisë për dominim të etnisë serbe në Kosovë si të pabaza.
“Më shumë ka shqiptarë në Serbi, nga Subotica deri në Preshevë, se serbë në Kosovë. Ka më shumë shqiptarë në Mal të Zi, sesa serbë në Kosovë”, ka theksuar Kurti.
Në intervistën e tij për televizionin boshnjak Hayat, Kurti theksoi se Serbia, përmes ndikimit të Moskës, po përpiqet të mbajë peng tërë Ballkanin Perëndimor.
“Në mënyrë identike dhe kjo mund të shihet në të gjitha konferencat ndërkombëtare, Serbia po e mban peng Ballkanin Perëndimor për shkak të Moskës dhe duan që i gjithë rajoni të jetë peng i tyre. Ata mbajnë gjithçka prapa, sepse e dinë se mund të shkaktojnë paqëndrueshmëri dhe duan që ne të gjithë t’i dëgjojmë. Në të njëjtën mënyrë, Republika Serbe dëshiron që BeH të varet nga ajo dhe të jetë peng i saj”, ka thënë Kurti.