Në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, Klevis Balliu, Koordinatori Rajonal për Tiranën pranë Partisë Demokratike, në një deklaratë ka akuzuar qeverinë e Edi Ramës për 12 vjet korrupsion, duke përmendur aferat e njohura si inceneratorët dhe Portin e Durrësit. Ai theksoi se institucionet janë bërë pjesë e korrupsionit, duke varfëruar qytetarët. Balliu premtoi se PD do të angazhohet për të luftuar çdo aferë korruptive me ardhjen në pushtet.
Deklarata e plotë:
Sot është data 9 dhjetor, dita ndërkombëtare e luftës kundër korrupsionit, por fatkeqësisht për vendin tonë prej 12 vitesh kemi vetëm korrupsion.
Prej 12 vitesh, nga aferat e inceneratorëve, deri tek Porti i Durrësit dhe TEC-et e Vlorës, Shqipëria është mbytur vetëm nga korrupsioni. Arsyeja themelore e këtij krimi që është bërë gjatë këtyre 12 viteve, është personi që qëndron në këtë godinë, Edi Rama, si promovuesi dhe arkitekti i çdo aferë korruptive në Shqipëri.
Për fatin tonë të keq si komb, institucionet të cilat do duhet të bënin luftën kundër korrupsionit janë bërë pjesë e këtyre aktiviteteve korruptive që kanë varfëruar qytetarët.
Pikërisht, në këtë godinë, nga njeriu i cili drejton sot vendin, deklarohet që nuk ka para për pensionistët, që nuk ka para për qytetarët, nuk ka para për Shqipërinë.
Por ndërkohë, në këtë godinë bëhen aferat korruptive të tmerrshme siç janë, nga 4 milionë euro për një ballkon, e deri tek 80 mijë euro në ditë për inceneratorë që nuk ekzistojnë dhe 80 mijë euro në ditë për TEC-e që nuk funksionojnë.
Të gjitha këto afera korruptive kanë një emër, dhe ai është Edi Rama.
Sot në datën 9 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të Luftës kundër Korrupsionit, Partia Demokratike garanton qytetarët që me ardhjen në pushtet do t’i kthehemi një beteje të pakompromis me çdo aferë korruptive dhe me çdo njeri që ka futur në xhepat e qytetarëve.