Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj organizoi dje një pritje për përfaqësuesit diplomatik dhe komuniteteve fetare. Veliaj vlerësoi sukseset e Tiranës gjatë vitit që kryesoi presidencën e rrjetit të qyteteve anëtare të B-40, duke e cilësuar këtë vit si një ndër më të suksesshmit në bashkëpunimin rajonal.
“Ky ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për Tiranën. Kemi pasur një rritje të bashkëpunimit mes qyteteve. Presidenca e jonë e trefishoi anëtarësinë, teksa sot jemi rreth 71 qytete që janë pjesë e B-40, një platformë ku ndoshta, me shtete ose me protokoll nuk ulemi dot sepse ka ende punë të pazgjidhura, ama me qytetet, kjo ka qenë pak më e lehtë”, tha Veliaj.
Ai ndau edhe një mesazh inspirues nga Nënë Tereza “Mund të bëjmë gjëra të vogla, me dashuri të madhe”. “Secili prej nesh është thirrur në shërbejë. Disa janë thirrur në një shërbesë fetare, disa janë thirrur në shërbesa civile. Për ne që jemi thirrur në shërbesë civile, ndoshta gjërat që bëjmë duken një pikë në oqean, por pa atë pikë, oqeani do ishte më i vogël, qoftë edhe ky oqeani i qytetit tonë. Dua t’ju uroj të gjithëve shumë sukses në misionin tuaj shumë të rëndësishëm! Shumë mirënjohje për të gjithë kontributin që keni dhënë për qytetin tonë dhe lulëzimin e tij, që është një histori e jashtëzakonshme progresi dhe suksesi”.