Sot është mbajtur në themel seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj edhe pse ky i fundit nuk ishte i pranishëm fizikisht.
Ndërkohë Veliaj përmes një deklarate, i bën me dije gjykatës se “kam dijeni për seancën, nuk dëshiroj të marr pjesë, pasi nuk më janë vënë në dispozicion 24 fashikujt dhe provat digjitale”.
Ndërsa avokti i veliajt Plarent Ndreca, kërkoi që SPAK t’u vërë në dispozicion informacion se si është administruar kallëzimi nga Nesti Angoni.
“Unë kërkoj lejimin e kamerave për të regjistruar live këtë proces. Fakti që vjen në sallë një punonjëse administrative dhe pyet kush është dakord e kush jo, kjo është ndërhyrje në punët e gjykatës. Vendimmarrjen e merr trupa gjyqësore. Moslejimi i kamera në sallë është një goditje e drejtëpërdrejtë e të drejtës kushtetuese që kanë mediat për të transmetuar live.
Së dyti, kërkoj që t’i krijohen kushtet zotit Veliaj të marrë pjesë në gjyq, jashtë kafazit, në krah të avokatit. Mosprezenca e tij, ndikon drejtpërdrejt në proces. Ka një korespondencë mes Komitetit të Helsinkit dhe GJKKO, ku përmendet cenimi i dinjiteti me mbajtjen e të pandehurve në kafazin e xhamit.
Veliaj nuk paraqet asnjë rrezikshmëri mbi mbarëvajtjen e procesit. Kërkoj që Veliaj të jetë i lirë krah avokatit, që të realizojë mbrojtjen, si Kushtetuta i garanton. Së treti, për sa kohë nuk jemi njohur me provat digjitale, na jepni mundësinë për të bërë kërkesa për pavlefshmëri aktesh, pasi të jemi njohur me provat digjitale.
Së katërti, kemi kërkuar nga SPAK të na vendosë në dispozicion, si është administruar kallëzimi nga Nesti Angoni. Së pesti, vlerësojmë se seanca 1 herë ne javë nuk garanton mbrojtje efektive, është afat shumë i ngushtë. Të paktën te jenë dy javë nga një seancë në tjetrën.“, tha Ndreca.









