Bashkia e Tiranës ka shpallur hapjen e aplikimeve për 1200 kredi të buta që do të subvencionojnë interesat e kredisë për familjet dhe individët që kanë nevojë për strehim. Programi ka si qëllim mbështetje për ata që nuk mund të përballojnë kostot e tregut të lirë të banesave dhe kredive hipotekore. Aplikimi mund të bëhet në portalin qeveritar “e-Albania”, duke zgjedhur opsionin e subvencionimit të interesave të kredisë për blerjen e një banese.
Afati i aplikimit është i hapur nga data 12 dhjetor 2024 deri më 13 janar 2025. Të gjithë ata që kanë aplikuar para kësaj periudhe duhet të riaplikojnë. Kriteret e aplikimit përfshijnë individë dhe familje që nuk kanë pronësi banese, që kanë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit dhe që plotësojnë kushte të ardhurash brenda limiteve të përcaktuara. Ky program ka për qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës për familjet dhe çiftet e reja me aftësi të kufizuara ekonomike.