Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot takimin vjetor të Këshillit Koordinues të Diasporës. Ai u shpreh se Diaspora mbetet një mbështetje e fuqishme për vendin, duke theksuar se prurjet në monedha të huaja në vendin tonë janë më të larta se vitin e kaluar.
“Jemi sot me kokën lart përpara gjithë shqiptarëve jashtë atdheut edhe për një arsye që tanimë është një mision i përmbyllur për të paktën sa na takon ne, vota e diasporës. Një mision jo i lehtë, për hir të së vërtetës dhe një mision që është i lidhur me një vullnet që shkon përtej ndasive partiake.
Ambicia jonë për ta ngritur Shqipërinë e 2030 në majë, është e mbështetur jo thjesht në një dëshirë të madhe, por në realitetin objektiv të kësaj marrëdhënie të re me Evropën dhe transformimin që kemi bërë.
Ne ndërtuam një proces, strategji dhe sot jemi në kushtet kur funksionojmë me strategji kombëtare të Diasporës, kemi koordinatorë shtetërorë për diasporën, kemi një organizim që merr pamjen e vet më kuptimplotë në këtë tryezë.
Diaspora mbetet mbështetje e rëndësishme edhe në aspektin e drejtpërdrejt financiar për vendin. Këtë vit, Banka e Shqipërisë ka regjistruar rritje të dërgesave të emigrantëve në euro, krahasuar me 1 vit më parë, 100 milionë euro plus.
Kjo i bashkohet prurjes domethënë të të ardhurave të rritjes sonë ekonomike. Është rezultat i një sërë reformash të rëndësishme, por mbi të gjitha i pozicionimit politik të Shqipërisë”, theksoi ai.