Sali Berisha u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e sotme në orën 17:00 në Tiranë. Ai tha se kjo protestë do të zhvillohet në formë marshimi. Ditën e sotme, Berisha e quan një ditë revolte, atë të mosbindjes civile të PD-së dhe opozitës për shkak të varfërimit dhe privimit të lirive të qytetarëve.
“Sot është dita e një revolte, e mosbindjes civile, të PD-së dhe opozitës, në emër të mbi 1.1 milion shqiptarëve që u larguan nga Shqipëria nga ky regjim për shkak të varfërisë dhe privimit të lirive. Është revolta në emër të 800 mijë pensionistëve, që u trajtuan nga kjo qeveri në mënyrën më çnjerëzore.
Pensionistët e Shqipërisë sot marrin një pension të barabartë me 1 qen shtëpie në Gjermani, që paguhet 130 euro. Është protesta në emër të qindra mijëra të rinjve, të cilët kanë si alternativë të vetme largimin nga Shqipëria” tha ai.