Mbrëmjen e sotme opozita zhvilloi aktin e radhës së mosbindjes civile. U bllokuan pesë nyje kryesore në kryeqytet duke shkaktuar irritim tek qytetarët që mbetën të bllokuar për tre orë në trafik. Për herë të parë pas një viti mbyllur në shtëpi, protestës iu bashkua vetë Sali Berisha. Nuk munguan incidentet. Kulmi arriti me n/kryetarin e PD-së dhe njëkohësisht të Kuvendit, Agron Gjekmarkaj. “Më gjuajtën” tha ai, duke akuzuar policinë. Pas ndihmës së parë u dërgua në spital për ndihmë.
“Tani informohem se kriminelët me uniformë kanë goditur nënkryetarin e PD-së Agron Gjekmarkaj. Ky është një akt kriminal i porositur direkt nga Edi Rama, i cili ndjek me tmerr protestën e opozitës dhe përzgjedh drejtues të saj për t’i targetuar. E siguroj Edi Ramën dhe Ervinin me 3 mbiemra se do mbahen përgjegjës personal për dhunën fizike ndaj nënkryetarit të PD-së dhe Parlamentit dhe i shpreh atij solidaritetin e madh.
Edi Rama është një hakmarrës i verbër i cili për pushtetin e tij nuk ndalet para asnjë krimi, por opozita do t’i tregojë vendin siç e meriton. Edhe një herë, dënoj këtë akt të shëmtuar, këtë krim të vërtetë ndaj Gjekmarkajt në mosbindje civile” tha ai. Pas mbylljes së protestës policia nisi shoqërimet, mbi 15 deri tani. Ndërkohë që kupola e PD-së me Berishën në krye u drejtuan për tek spitali i Traumës.