Të rinj të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Tiranë, kanë mendime të ndryshme lidhur me vendimin e Qeverisë së Shqipërisë për mbylljen e platformës TikTok për një vit. Ndërsa, për ekspertë të edukimit, komunikimit, e zhvillimit psiko-social të fëmijëve vendimi është i drejtë, por jo i mjaftueshëm.
Valmir Visha, 25 vjeç, e konsideron si “vendim të vonuar”.
“Është një platformë pa filtra, ku kushdo mund të promovojë çfarë të dojë, edhe dhunë. Mjafton të jesh viral”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Ardit Minarolli, 18 vjeç, mendon se Qeveria shqiptare është nxituar me marrjen e këtij vendimi.
“Jetojmë në një botë demokratike dhe digjitale, mbyllja e rrjeteve sociale kufizon edhe liritë e të shprehurit. Mund të gjenden mënyra për të pasur filtra, kontrolle, por jo mbyllje”, thotë ai.
Një tjetër 18-vjeçar, Blevis Allushi, konsideron se vendimi është një masë e papërshtatshme për ta zgjidhur problemin e dhunës te të miturit.
“TikTok-u nuk është problemi, problemi janë disa krijues, të cilët abuzojnë me normat, dhe disa konsumues të cilët marrin mesazhet e gabuara”, thotë ai.
“Të ndalosh TikTok-un për të shmangur dhunën nuk është zgjidhje dhe gjithashtu dëmton shumë persona të tjerë që janë përdorues aktivë”, thotë Kejvin Jaku, 28 vjeç, duke shtuar se edhe pse TikTok-u është një ndër aplikacionet më të përdorura, mund të zëvendësohet shumë shpejt nga një tjetër platformë.
Vendimin për mbylljen e TikTok-ut nga 1 janari në nivel vendi e bëri publik kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas, siç është thënë, disa konsultave që kryeministri dhe ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, zhvilluan me prindër dhe mësues.
Deri tani ende nuk ka një vendim zyrtar të publikuar nga Qeveria.
Shkak për këtë vendim u bë ngjarja tragjike e 18 dhjetorit, ku një 14-vjeçar u vra me thikë nga një bashkëmoshatar i tij, pranë shkollës “Fan Noli”në Tiranë.
Kompania që menaxhon platformën sociale TikTok reagoi për agjencinë Associated Press duke thënë se donte “sqarime urgjente nga Qeveria shqiptare”.
Kompania tha se “nuk kishte gjetur ndonjë provë që autori ose viktima të kishte llogari TikTok dhe raportimet e shumta në fakt kanë konfirmuar se videot që çuan në këtë incident ishin postuar në një platformë tjetër, jo në TikTok”.
Rama tha se ky qëndrim i kompanisë do të thotë se nuk është kuptuar serioziteti i kërcënimit që ajo plaftormë ka sjellë për fëmijët dhe rininë.
Luiza Myrtaj-Nezha, mësuese e shkollës “Skënder Luarasi” në Tiranë, thotë se mbyllja e TikTok-ut është masë e pamjaftueshme për ta luftuar fenomenin e dhunës, agresivitetit dhe ngacmimit te të miturit.
Ajo thekson se mbyllja nuk e zgjidh problemin, pasi ka platforma të tjera ku fëmijët sërish do të ndeshen me përmbajtje të papërshtatshme.
“Duhen ndërmarrë hapa të tjerë për t’ia bashkëngjitur këtij vendimi për të luftuar fenomenin e dhunës te të miturit”, thotë Myrtaj.
Isa Halilaj, zëvendëspresident i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë thotë se për të zgjidhur këtë problem, duhet të ndërmerren disa hapa të tjerë para se të shkohet te mbyllja e platformave sociale.
“Arsimi duhet të jetë prioritet kombëtar. Duhet buxhet më i lartë për arsimin dhe disa reforma. Shkolla duhet të hapet, dyert e saj duhet të jenë të hapura për fëmijët deri në orën 16:00, të kenë mundësinë të ushqehen aty, të ketë aktivitete edukuese pas procesit mësimor”, thotë Halilaj.
Sipas tij, edhe shërbimi psikologjik në shkolla është shumë i mangët.
“Kufizim edhe për rrjete të tjera sociale për të miturit”
Por, Edlira Dyrmishaj, psikologe klinike, thotë se është për kufizim edhe të rrjeteve të tjera sociale për fëmijët dhe të rinjtë.
“E them këtë pasi nisem nga studime shkencore mbi ndikimin e TikTok-ut dhe nga qëllimi kryesor që është rritja në mënyrë të shëndetshme e fëmijëve tanë. A do ta ulë dhunën e agresivitetin? Mendoj se është një mjet më pak”, thotë ajo.
Dyrmishaj thekson se mënyra si funksionon platforma është shqetësuese. E para është përmbajtja që ka dhe e cila është më e predispozuar të ofrojë material jo të përshtatshëm për të miturit. Pasojat, thotë, se janë të shumta.
“Çon në deformime deri organike të trurit të fëmijëve. Lidhja mes TikTok-ut e varësive është shqetësim i madh në mesin e psikologëve për faktin se si platforma i shfrytëzon proceset neurobiologjike që e rregullojnë kënaqësinë në sistemin tonë nervor si dhe motivimin e ndërtimin e zakoneve”.
“Po ashtu, shtron lidhjet neurologjike për të kërkuar kënaqësinë shpejt, tani, këtu! Aktivizon sistemin e shpërblimit në tru, në mënyrë të papërshtatshme, duke nxitur çlirimin e dopaminës në nivele të shpejta e të larta, që fëmija nuk është i përgatitur ta suportojë dhe kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve, neve si prindër, edukatorë, specialistë”, shpjegon ajo për Radion Evropa e Lirë.
Ajo, po ashtu, thekson se platforma, duke ofruar këtë kënaqësi të menjëhershme e duke i krijuar këto zakone, bën që të vështirësohen përjetimet e fëmijëve në jetën reale, ku është e vështirë të ndjesh një nivel kënaqësie të tillë pa bërë asgjë.
Psikologia Dyrmishaj shton se ndikimi emocional sa i përket asaj që ofrohet dhe krahasimit social, sjell pasoja te fëmijët pasi konteksti i tyre nervor është i paformuar dhe ndikohet shumë thjesht.
“Për të gjitha këto arsye dhe pasoja unë mendoj se jo vetëm TikTok-u, por të gjitha platformat duhet të kufizohen për moshat e reja duke u konsultuar me specialistë. T’i orientojmë ata drejt sportit, drejt kënaqësive që vijnë përmes arritjeve konkrete në jetën reale”, thekson Dyrmishaj.
A fshihen arsye politike pas mbylljes së TikTok-ut?
Por, opozita në Shqipëri sheh arsye politike pas vendimit për të mbyllur platformën TikTok në Shqipëri.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi vendimin, një akt censure në prag të zgjedhjeve parlamentare, që do të mbahen më 11 maj. Edhe deputetja demokrate Ina Zhupa, kryetare e Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik tha se interesi elektoral është motivi i vërtetë i kërkesës për mbylljen TikTok-ut.
Analisti politik, Armand Shkullaku, thotë për REL-in se mënyra se si u mor ky vendim në mënyrë të papritur dhe pa një konsultim të gjerë ngre dyshime serioze për arsyet që kanë çuar deri këtu.
“Në këtë rast u tha dhe shifra 90 për qind e prindërve janë dakord për mbylljen e TikTok-ut, pa na sqaruar ku u bazua, si u bë kjo matje?! Siguria dhe edukimi i fëmijëve janë çështje të Qeverisë, jo të një platforme sociale”, thotë Shkullaku.
Duke iu referuar shteteve të tjera që kanë marrë masa kufizuese ndaj TikTok-ut, ai thekson se kjo është bërë përmes një konsultimi të gjerë me edukatorë, mësues, prindër, sociologë, psikologë, filozofë.
Shkullaku thekson se është pro çdo lloj diskutimi për të debatuar një fenomen, ndikimin e rrjeteve sociale, një program televiziv, por kundër mbylljes pasi e konsideron akt censure./ REL