Në Këshillin Bashkiak të Fierit është miratuar buxheti i vitit 2025 me 34 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenim, pas më shumë se 6 orësh debate.
Buxheti i vitit 2025, që ka një vlerë prej 2.7 miliardë lekësh, është fokusuar në përmirësimin e shërbimeve publike, rikualifikimin urban të qendrave administrative dhe përmirësimin e cilësisë së institucioneve arsimore dhe shëndetësore. Gjatë diskutimeve, ka pasur polemika mbi rritjen e pagave të administratës së bashkisë dhe funksionimin e komisioneve.
Kryebashkiaku i Fierit, Subashi, theksoi se çdo vendim për rritjen e pagave është kompetencë e Këshillit të Ministrave dhe nuk mund të merret në nivelin e bashkisë. Ndërkohë, opozita ka kritikuar mungesën e transparencës përsa i përket transmetimit live të mbledhjes.
Po ashtu, borxhi i Bashkisë Fier për këtë vit është llogaritur në 90 milionë lekë, një pjesë e të cilit do të shlyhet nga fondi i pakushtëzuar i qeverisë, që arrin shifrën e 64 milionë lekëve.