Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, ka reaguar pas bllokimit të mandarinave shqiptare për shkak të përmbajtjes së pesticideve mbi normat e lejuara nga Bashkimi Europian. Ajo e konsideroi këtë situatë një njollë të rëndë për eksportet e vendit dhe për sigurinë ushqimore.
Tabaku theksoi se kjo është pasojë e mungesës së kontrollit dhe politikave të dështuara të qeverisë, që kanë shkaktuar uljen e fondeve për bujqësinë dhe mungesën e mbështetjes për fermerët.
Deklarata e Tabakut:
Mandarina, një nga frutat më të dashur për shqiptarët në fund të vitit, po bllokohet përsëri në pikat kufitare kur tentohet eksporti i saj. Arsyeja? Përdorimi i pesticideve të ndaluara, larg standardeve dhe normave të Bashkimit Evropian. Kjo ka dëmtuar cilësinë e produktit dhe ka mbyllur derën për eksportet shqiptare.
Ky problem është një njollë e keqe jo vetëm për eksportet, por edhe për sigurinë ushqimore në vend. Ajo që i hidhet këtyre produkteve, nga fusha deri në tryezën e shqiptarëve, nuk kontrollohet siç duhet. Për më tepër, buxheti për sigurinë ushqimore është ulur me 145 milionë lekë vetëm vitin e kaluar.
Kjo situatë është pasojë e politikave të dështuara të qeverisë, si skema e TVSH-së që po falimenton sektorin, dhe mungesa e fondeve IPARD që duhej të ndihmonin bujqësinë. Problemet grumbullohen njëri pas tjetrit, duke bërë që produktet shqiptare të mos jenë konkurruese në tregjet evropiane.
Zgjidhja ekziston dhe është e qartë: ky sektor duhet të bëhet prioritet për ato 300 mijë familje që mbështeten në bujqësi. Shqipëria ka potencialin të jetë një lider në tregjet evropiane, por kjo kërkon angazhim dhe mbështetje reale.