Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci në një konferencë për mediat u shpreh se ushtrai e Kosovës është më e fuqishme se kurrë më parë. Ai nënvizoi se institucionet e sigurisë janë të gatshme me çfarëdo kërcënimi pas paralajmërimeve se mund të ketë akte të tjera gjatë festave të fundvitit.
“Ushtria jonë sot është me fuqishme se kurrë, është më e pajisur se kurrë, më e përgatitur dhe më e trajnuar se kurrë dhe më e kompletuar me personel se kurrë më parë dhe më e gatshme për të mbrojtur sovranitetin dhe territorin e vendit tonë për të mbështetur autoritetet civile në rast të fatkeqësive natyrore si dhe për të marr pjesë në operacione ndërkombëtare bashkë me aleatët tanë.”, tha Maqedonci.
Ai tha se gjatë këtyre katër viteve jenë investuar mbi 270 milionë euro në ushtri, ndërsa tha se kanë përmbushur 100% edhe buxhetin e paraparë për vitin 2024.
“Aktualisht jemi në fazën e identifikimit të partnerëve për mundësinë e hapjes së laboratorit për dizajnimin e dronëve, hapja e së cilës do të mundësojë që vendi ynë të bëhet prodhues i dronëve gjithmonë për nevojat e brendshme pastaj edhe për mundësinë për të eksportuar jashtë vendit.”, u shpreh Maqedonci.