Presidenti i zgjedhur Donald Trump mbështeti kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson në prag të votimit për kryetarin e Kongresit të ri më 3 janar.
Zoti Trump tha të hënën përmes një postimi në rrjetin Truth Social se zoti Johnson “është një njeri i mirë, që punon fort dhe një njeri besimtar” duke shtuar se republikani nga Luiziana “do të veprojë siç duhet dhe ne do të vazhdojmë të FITOJMË”
“Mike ka mbështetjen time të Plotë dhe Totale”, shkroi zoti Trump.
Pas debateve mbi buxhetin e qeverisë, që rrezikoi një mbyllje të qeverisë përpara Krishtlindjes, mbështetja për rizgjedhjen e tij në postin e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve u duk e pasigurt.
Pavarësisht se në fund u arrit një marrëveshje, debatet demonstruan një brejtje të ndikimit të zotit Johnson si edhe nxorrën në pah çarjet në mbështetjen brenda partisë së tij.
Dy propozime të zotit Johnson mbi financimin e qeverisë u hodhën poshtë, pasi zoti Trump, i cili e merr detyrën në 20 janar, ndërhyri duke bërë thirrje për të pezulluar ose hequr tavanin e borxhit.
Zoti Johnson, i cili është përpjekur shumë për të mbajtur një raport të afërt me zotin Trump, e bindi Presidentin e zgjedhur se ai do të përmbushë në 2025 kërkesat e tij për të rritur kufirin e borxhit.