Mbrëmjen e djeshme një aksident ka ndodhur në aksin rrugor Korçë- Bilisht, ku ka humbur jetën një 24-vjeçare greke.
Sipas të dhënave, dyshohet se drejtuesi i mjetit tip Peugeot ka bërë manovër të gabuar. Drejtuesi i mjetit në polici ka deklaruar se i ka dalë një kafshë para dhe ka devijuar mjetin për të mos e goditur.
Kjo manovër ka rezultuar fatale pasi është përplasur kokë më kokë në korsinë tjetër me mjetin Mercedes-Benz.
Mësohet se dy të rinjtë jetonin në Selanik dhe kishin ardhur në Shqipëri për të kaluar festat e fundvitit.
Ndërkohë trupi i viktimës do të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë.
Ndërsa hetimet ende po vijojnë nga ana e policisë për zbardhjen e plotë të rrethanave.