Gjermania ishte “viktima” e parë e tërmetit politik që shkaktoi fitorja e kandidatit të Partisë Republikane Donald Trump, në zgjedhjet presidenciale në SHBA. Një ditë pas u bë e qartë rikthimi në Shtëpinë e Bardhë i të parit, koalicioni qeveritar i drejtuar nga kancelari Olaf Scholz, hyri në një rënie të pashmangshme. Edhe pse në shikim të parë këto dy ngjarje dukeshin koincidencë, megjithatë shumë analistë ndërkombëtarë, kanë vënë në pah trubulencat që mund të shkaktojnë në shumë vende të botës ndryshmet politike përtej Atlantikut.
Në një situatë më të mirë nuk është as Britania e Madhe. Kryeministri i Qeverisë Laburiste, Keir Starmer, i është nënshtruar një fushate agresive mediale kohën e fundit, nëse jo drejtpërdrejtë nga presidenti amerikan, të paktën nga njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt të tij, miliarderi Elon Musk. Ky i fundit, e ka akuzuar të parin si “përdhunues të Britanisë” si dhe ka kërkuar zgjedhje të reja të parakohshme në vendin ishullor. Ndërkohë, trazime kanë shkaktuar po ashtu edhe komentet e fundit për partinë e ekstremit të djathtë në Gjermani, AfD. Për Elion Musk-un, vetëm Alternativa për Gjermaninë, mund ta shpëtojë këtë shtet, ku e kanë katandisur politikat e gabuara të partive tradicionale të qendrës, sidomos ato të kancelarit socialdemokrat, Olaf Shcholz. Në anën tjetër liderë, si kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni janë duke tentuar ta forcojnë gjithnjë e më shumë pozicionin e tyre politik në administratën e re amerikane. Nuk, është e rastësishme që fillimisht i pari dhe e dje dyta u takuan me të parin e Zyrës Ovale, edhe para se ta merr detyrën me 20 Janar.
Efektet e kësaj kthese amerikane janë duke u manifestuar edhe në shtete tjera përtej Evropës. Kanada, vendi fqinj dhe partneri kryesor ekonomik i SHBA-ve, është rasti i fundit. Kryeministri, Justin Treudeau, pas qëndrimit mbi një dekadë në pushtet e kumtoi lajmin se do të tërhiqet nga kjo pozitë si dhe nga ajo e kryetarit të Partisë Liberale. Kjo lëvizje, krahas zhvillimeve të brendshme, pa dyshim se është pasoje edhe tensioneve që pritet t’i karakterizojnë raportet tregtare në mes të këtyre dy vendeve aleate. Presidenti Trump ka paralajmëruar se do të vendos tarifa tregtare deri në 25 për qind, si për mallrat me orgjinë kanadeze ashtu edhe ato nga Meksika. Madje ai kohët e fundit e ka bërë të qartë dëshirën për ta integruar këtë shtet plotësisht brenda SHBA-ve. Në një reagim dje në rrjetet sociale, pas paralajmërimit të kryeministrit kanadez, se do të largohet, Donald Trump, ka shkruar se “shumë njerëz në Kanada kanë dëshirë të jenë shteti i 51-të. Shtetet e Bashkuara nuk mund të vuajnë më nga deficitet e mëdha tregtare dhe subvencionet që Kanadaja i aplikon për të mbijetuar. Justin Trudeau e dinte këtë, dhe dha dorëheqjen. Nëse Kanadaja do të bashkohej me SHBA-në nuk do të kishte tarifa, taksat do të uleshin shumë, dhe ata do të ishin plotësisht të sigurt, nga kërcënimi i anijeve ruse dhe kineze që i rrethojnë vazhdimisht. Së bashku, çfarë kombi i shkëlqyer do të ishim”, ka shkruar Trump. Ndonëse analistë të ndryshëm kanë vënë në pah, se vendimi i Trudeau, për t’u tërhequr ia ka lanë pataten e nxehtë pushtetit të ardhshëm për t’u përballur me negociatat e vështira me administratën Trump.
Sidoqoftë, ajo që bie ne sy në këto trandje masive politike është fakti se shumë liderë nga shtete të ndryshme të botës, ose janë duke tentuar të përshtaten me pushtetin e ri në Uashington, ose të tërhiqen para kohe në mënyrë që t’i shmangin tensionet me ndërmjet vendit të tyre dhe SHBA-ve. Kosova nuk bënë përjashtim në këtë rast. Sidomos kur marrim parasysh faktin se me 9 shkurt do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare. Pak ditë pas fitores së Trumpit, militantë të partisë në pushtet, i mëshuan idesë së zgjedhjet nacionale të 9 Shkurtit, duhet të shndërrohen në një lloj referendumi popullor rreth Albin Kurtit për t’u barikaduar nga rreziku që e paraqet fitorja e Trumpit për Kosovën. Ndërkohë, vetë kryeministri i Kosovës, dje në një intervistë për Kosova Pres, u mundua ta relativojë këtë skenar. Ai pohoi se “në raport me Amerikën kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme”. Kurse për të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për misione të posaçme në botë, ku sipas shumë mediave do të jetë edhe për Ballkanin Perëndimor, Kurti deklaroi, “që nuk do të ndikojnë në raportet tona. Ish-emisari Grenell ka detyrë për Korenë e Jugut, Venezuelën dhe misione të posaçme, është e rëndësishme çfarë emërime të reja do të ketë në administratë”.
Mirëpo, pa kaluar pak kohë pas kësaj interviste, vetë Richard Grenell, në një prononcim për mediumin Nancionale ka deklaruar se “Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti, që të gjithë kishin marrëdhënie të shkëlqyeshme me Republikanët dhe Demokratët në Amerikë. Hera e vetme në 35 vite kur marrëdhëniet Kosovë – ShBA (edhe Kosovë – BE) u bënë partizane dhe në krizë, janë me Albin Kurtin kryeministër”. Përfundimisht, pohime të tilla tregojnë qartë se raportet ndërmjet administratës së Donald Trumpit dhe Kosovës, nëse në krye të Qeverisë do të jetë Albin Kurti, do të jenë të tensionuara. Në këtë drejtim, Kosova ndodhet para një dileme ekzistenciale. /TV Arbëria