Anëtari i kryesisë në PD, Grigels Muçollari në një deklaratë për mediat u shpreh se mbi Erion Veliajn rëndojnë 4 akuza të rënda dhe shtron pyetjen se pse kryebashkiaku vijon të ketë privilegje nga ”kolegët” e tij te SPAK.
DEKLARATË PËR MEDIA ANËTARI I KRYESISË NË PD, GRIGELS MUÇOLLARI
Tek kjo derë këtu hyn çdo ditë dhe ulet në karrigen e kryetarit të Bashkisë më të madhe në vend, merr vendime, firmos e vulos, një person nën hetim për: korrupsion aktiv, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje e mosdeklarim pasurie.
Akuza shumë të rënda, për të cilat kolegët e tij në SPAK thanë se kanë të dhëna konkrete, në një deklaratë publike.
Prapë, ky njeri, Erion Veliaj, që duhej të kishte dhënë dorëheqjen e të ishte atje ku e kanë vendin keqbërësit, vjen si edhe sot në zyrën ku ka konsumuar këto 4 vepra penale, duke fyer qytetarët e Tiranës, ligjin, dhe çdo normë e standard moral.
Erion Veliaj nuk paraqitet këtu për të shërbyer. Ai vazhdon ta mbajë këtë pushtet për të ndikuar drejtësinë, për të prishur provat, për të ushqyer luftën politike e mediatike me privilegjet që ndan për ata që shkrehin armët për interesat e tij.
Kjo shkelje e rëndë, kjo anomali po ndodh çdo ditë në mes të Tiranës, në sytë e të gjithëve.
Pyetja që kanë njerëzit sot, taksapaguesit dhe banorët e qytetit, është: Pse Erion Veliaj është mbi ligjin? Pse me këto 4 akuza të rënda ai vijon të ketë privilegje?
Ne kërkojmë drejtësi dhe do ta kërkojmë dhe nesër duke u mbledhur sërish në këtë shesh deri në rivendosjen e rendit moral të shoqërisë!