Një atentat ka ndodhur mbrëmjen e sotme në autostradën Vlorë-Fier, ku një 30-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri.
Ngjarja ka ndodhur afër një karburanti në zonën e Novoselës, ku personi i vrarë është K. M., 30. Ai është qëlluar me kallashnikov brenda automjetit të tij tip “Volkswagen” rreth orës 18:15.
Pas ngjarjes, forcat e policisë dhe të sigurisë kanë mbërritur në vendngjarje, ndërsa një grup i posaçëm hetimor është ngritur për zbardhjen e rrethanave të atentatit dhe kapjen e autorëve.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 18:15, në afërsi të fshatit Novoselë, në autostradën Fier-Vlorë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip “Volksëagen”, me drejtues shtetasin K. M., 30 vjeç, i cili ka humbur jetën.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të Policisë së DVP Vlorë dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Fier. Vijon krehja e zonës dhe kontrollet për kapjen e autorëve.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.