Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar ashpër ndaj Bashkimit Europian pas vendimit për pezullimin e përkohshëm të fondeve për vendin e tij. Ai ka ndërprerë komunikimin me disa zyrtarë europianë, duke përfshirë Komisioneren për Zgjerim, Marta Kos, duke akuzuar BE-në për trajtim të padrejtë ndaj Serbisë.
Megjithatë, Vuçiç thekson se vendi i tij mbetet i përkushtuar ndaj rrugës së integrimit europian, duke kërkuar një trajtim më të drejtë dhe dialog të sinqertë.
“Me disa zyrtarë europianë nuk kam më çfarë të diskutoj, sepse nuk e trajtojnë Serbinë në mënyrë të drejtë. Nuk ka kuptim të vazhdohet dialogu me ata që s’kanë qëndrime të drejta ndaj vendit tonë. Megjithatë, dua të theksoj se Serbia mbetet e përkushtuar në rrugën e saj për integrim europian. Ne duam të jemi pjesë e BE-së, por nuk mund të pranojmë të na trajtojnë me standarde të ndryshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për progresin në drejtësi, pavarësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, apo marrëdhëniet ndërkombëtare. Serbia do të vazhdojë të ndjekë interesat e saj, por kërkon respekt dhe trajtim të drejtë nga partnerët europianë,” tha Vuçiç gjatë një vizite në Šid.









