Zëdhënësja e Partisë Demokratike Floriana Garo në një deklaratë për mediat ka folur në lidhje me menaxhimin e situatës nga reshjet e dëborës dhe shiut.
Garo shprehet se prej dy ditësh shumë familje shqiptare janë pa energji elektrike dhe pa ngrohej si dhe shumë akse nacionale janë të bllokuara.
“Lura, Selishta, Kalaja-Dodës, Sllova, Trebishti dhe Ostreni janë të bllokuar, dhe Qafa e Murrizit në rrugën e Arbrit, të përuruar disa herë nga Rama, është hapur vetëm sot pas dy ditësh bllokim.
Shumë fshatra në Kukës janë të bllokuara nga bora dhe pa energji elektrike: Zapodi, Kalisi, Çaja, Arreni, Surroj dhe Vilë janë të bllokuara, ndërsa fshati Tërshenë, përvec bllokimit është edhe pa energji elektrike.”, tha ajo.
Garo theksoi se Rama mendon për fasadën dhe jo për infrastrukturën jetike që i mban qtetarët të sigurt me drita dhe ngrohje në këto situata të vështira nga moti.
“Këto janë informacione që vijnë nga terreni, aty ku shqiptarët e izoluar luftojnë me bllokadën dhe shpërfilljen e qeverisë, dhe përgënjeshtrojnë deklaratat publicitare të Ballukut dhe vartësve të saj.
Shqipëria gjatë tri ditëve të fundit, në një pjesë të mirë të territorit, në zonat malore por edhe të Ultësirës, ka kolapsuar përballë një moti që, edhe pse nuk është i zakonshëm, nuk mund të krahasohet me stuhitë që ndeshin vendet e tjera.
Ky kolaps ka vetëm një shkak.
Fondet dhe tenderat për mirëmbajtjen dhe sigurinë, ndërtimin e rrugëve dhe infrastrukturës së Shqipërisë, u shkojnë miqve të pushtetit ose përfundojnë në xhepat e ministrave dhe drejtorëve.
Qeveria Rama mendon për fasadën, atë që duket dhe jo infrastrukturën jetike, që i mban qytetarët e sigurt, me drita dhe ngrohje nëpër shtëpi dhe me akses dhe liri lëvizjeje. Mjaftojnë disa centimetra borë dhe pak milimetra shi, nga Kukësi deri në Vlorë, që fasadës së Ramës t’i dalë boja.
Probleme të shumta kanë hasur edhe shkollat, me 77 të tilla në të gjithë vendin, të mbyllura për arsye se nuk kanë ngrohje apo janë të bllokura nga reshjet.
Mungesa e ngrohjes e bën uljen e cmimit të energjisë me 1 lek nga qeveria, pasi e kishte ngritur me 10, një promo për fushatë elektorale, por pa asnjë vlerë.
Premtimet e Ramës dhe Ballukut, të pa plotësuar në 12 vjet, nuk mund të besohen sot. Fëmijët, të moshuarit, të sëmurët në të gjithë Shqipërinë, e kanë mësuar këtë fakt të hidhur këto 3 ditë dimri.
Ky do të jetë dimri i fundit në pushtet i qeverisë më të keqe që ka patur Shqipëria që nga Mehmet Shehu dhe stuhitë e 1985-ës.”, tha Garo.