Kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi i është drejtuar ditën e djeshme me një kërkesë zyrtare SPAK lidhur me hetimet për çështjen “Xibraka”. Bardhi shprehet se përfundimi i hetimeve për një procedim penal siç deklarohet në njoftimin për media të prokurorit dhe arritja e konkluzionit përfundimtar se nuk ekzistojnë prova apo fakte që lidhin shtetasin Olsi Rama me aktivitet kriminal, nënkupton që nga ana e prokurorit të çështjes është nisur një procedim penal ndaj këtij shtetasi dhe për mungesë provash ai nuk rezulton i përfshirë në aktivitet të paligjshëm, dhe është vendosur “pushimi i hetimeve”.
Për këtë, Bardhi i ka kërkuar SPAK një kopje të vendimit të prokurorit për përfundimin e hetimeve dhe pushimin e procedimit penal ndaj shtetasit Ols Rama, dhe një kopje të vendimin gjyqësor respektiv, ku është pranuar kërkesa për përfundimin e hetimeve dhe pushimin e procedimit ndaj Olsi Ramës, sipas konkluzionit që nuk ka prova që e lidhin atë me aktivitet kriminal.
Gazment Bardhi thekson se përfundimi i hetimeve nënkupton që informacioni i mbledhur dhe provat për arritjen e konkluzioneve nuk mbrohen më nga sekreti hetimor dhe për këtë shkak, nuk ka asnjë pengesë ligjore për të përcjell informacionin si më sipër lidhur me provat e mbledhura, veprimet hetimore të kryera, me qëllim arritjen e këtij konkluzioni.
“Sipas ligjit, vendimi i pushimit apo pezullimit të një procedimi, i vihet në dispozicion personave të interesuar, të cilët gëzojnë të drejtën të kërkojnë kontroll gjyqësor mbi punën e prokurorit” – shkruan Bardhi.