Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka shpallur mbështetje për marrëveshjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza. MEPJ e cilëson këtë marrëveshje si një hap të domosdoshëm për arritjen e një zgjidhjeje afatgjatë për konfliktin dhe stabilitetin e rajonit.
Në një deklaratë të publikuar, Ministria thekson se është thelbësore që kjo marrëveshje të çojë në një stabilitet të qëndrueshëm dhe që të kontribuojë për një paqe të qëndrueshme.
“Shqipëria mirëpret marrëveshjen e armëpushimit dhe lirimit të pengjeve në Gaza, duke e njohur atë si një hap të domosdoshëm drejt zgjidhjes së konfliktit.
Është thelbësore që zbatimi i kësaj marrëveshje të çojë në stabilitet të qëndrueshëm në rajon.
Përgëzojmë përpjekjet e palodhshme ndërmjetësuese të Shteteve të Bashkuara, Egjiptit dhe Katarit në lehtësimin e këtij zhvillimi të rëndësishëm”, shkruan MEPJ në X.