Nis me tensione protesta e 42-të e opozitës para bashkisë së Tiranës. Shkak është bërë mosbllokimi i rrugës para bashkisë nga ana e policisë siç ka ndodhur më herët, por këtë herë janë qytetarët ata që kane bllokuar kalimin e mjeteve. Sipas njoftimit mbështetësit e PD kanë nisur tubimin pak pas orës 11, duke bllokuar dhe kalimin e automjeteve.
Këshilltari demokrat në Bashkinë e Tiranës, Dorjan Teliti tha se, buxheti i shtetit është kthyer në një bankë private ku paratë po vidhen, digjen nga 5D, inceneratorët apo tenderat.
“E kanë kthyer buxhetin e bashkisë si me qenë bankë private dhe jo si të ishte një instrument zhvillimi për qytetin tonë. Zhduken paratë nga buxheti dhe në vend të shkojnë për shkollat që mungojnë, për lulishte, për infrastruktura dinjitoze për një kryeqytet që aspiron të futen në BE, paratë vidhen dhe digjen nga 5D, zhduken në tendera dhe bashkia e Tiranës është kthyer tashmë në një bankë private e drejtuesve të saj. Turp, turp dhe vetëm turp.
Erion Veliaj u mandatove kryetar i Tiranës në 2015 por ti dhe bashkëpunëtort e tu kryet vetëm punë të pista në krye të Tiranës ndaj ju meritoni ndëshkimin. Jo ndëshkimin popullorë apo largimin por përballjen me drejtësinë e cila për hirë të vërtetës të fluturon si harabel rreth e rrotull po nuk po të sheh ende për të të kapur” tha ai.