Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka marrë ftesë nga anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve, për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri amerikan Donald Trump.
Osmani ka vendosur ta dërgojë një delegacion të kabinetit të saj, i cili së bashku me ambasadorin në SHBA Ilir Dugolli, do ta përfaqësojnë Kosovën në aktivitetet inauguruese të datave 19-21 janar.
Ajo ka pasur rastin ta urojë personalisht Trump gjatë një bisede përmbajtësore muajin e kaluar në Pallatin Elysee në Paris.
“Ky angazhim i vazhdueshëm reflekton përkushtimin e Kosovës për të forcuar bashkëpunimin me administratën e re amerikane dhe për të avancuar interesat e përbashkëta”, ka thënë këshilltari Bekim Kupina.