Lideri i opozitës Sali Berisha në 34-vjetorin e Partisë Demokratike në Gjirokastër akuzoi kryeministrin Edi Rama për shpopullimin e vendit. Berisha u shpreh se jugu i vendit është zbrazur më shumë se çdo territor tjetër i Shqipërisë.
“Në këtë zbrazje katastrofale, jugu i vendit është zbrazur më shumë se çdo territor tjetër i Shqipërisë. Këtë që ka pësuar jugu, treva të bekuara me të gjitha pasuritë, me njerëz të mençur dhe punëtorë, me një kulturë dhe traditë të mrekullueshme pune dhe prodhimi, nuk e ka pësuar ndonjëherë ndonjë rajon në rajon, Europë, apo në botë.
Mjafton të shkosh sot në Labovë, Nepravishtë, Zagori dhe të shohim se çfarë ka mbetur. Ndërkohë që aty sheh fshatra të mrekullueshëm, sheh lugina mahnitëse, sheh pasuri natyrore të pafundme, apo Lunxhëria.
Jugu u përqendrua në disa qytete në bregdet, ku gjysmën e tyre i kanë pushtuar trafikantët dhe mafiozët e Edi Ramës, që fillimisht thoshte na ka dalë një Gjon. Nuk dinte injoranti se ishte Gjon Boçari me pronat e tij, një nga shqiptarët më të shquar të Sulit dhe Çamërisë dhe ishin pronat e tij, dhe ai thoshte na ka dalë një Gjon, na ka ardhë nga mali dhe nuk kishte parë det kurrë dhe ka pushtuar 50 mijë hektarë tokë. Ato ishin pronat e Gjon Boçarit.
Tani ai ka marrë trafikantët e të gjithë rajonit dhe i ka vërsulur në Jug. Absolutisht nga Vlora gjer në Ksamil.
Por nëse shohim çfarë i bëri Gjirokastrës. Qendër që kur është themeluar, qytet i bukur, qytet dinjitoz, qytet me kulturë, që rezaton në të gjithë qenien e tij.
E zbrazi, ja mori drejtoritë dhe ja degdisi në të 4 anët në mënyrë që në vend se, ti sillte, në vend që ti ngrinte nga lugu këtu poshtë në Qafë të Pazarit, të meremetonte ndërtesat ja hoqi fare Gjirokastrës, ja zhduku.
Universitetin pothuajse po e shuan. Pedagogët që punojnë në Janinë apo diku tjetër, dhe marrin rrogën në universitet dhe nuk japin një ditë mësim. Të tjerë që nuk duken fare. Ky është sot tablloja reale e Gjirokastrës. Por si Gjirokastra në tërësi është Shqipëria.
U ndala në këtë moment për të theksuar se kjo kohë, e vërteta është një thirrje, një thirrje e kësaj toke, kombi, shoqërie për çdo shqiptar që ta shpëtojmë këtë vend.
Në rast se, vazhdohet me këto politika, pas 4 vitesh mbi 1 milionë tjetër shqiptarësh, do të shkojnë tek ata që janë sot.
Kush do të mbetet këtu? Prandaj është jetike vendimtare të mobilizohemi, angazhohemi.”, tha Berisha.