Që prej disa ditësh politika shqiptare është përfshirë në një vorbull të re, por që në fakt është po aq e vjetër sa vetë fillimi i jetës plurale. Zgjedhjet politike të 11 majit kanë sjellë vorbullën e një skene ku përplasjet e nisura janë vetm preludi i rrëmujës së ardhshme, për t’ia lënë vendin më pas qetësisë mes dy forcave të mëdha politike.
Afrimi i “shokëve të mëdhenj” të së majtës me “zotërinjtë e opozitës, megjithëse, si gjithnjë, do të duket vetëm maja e aisbergut të kësaj lidhje, do të jetë përsëri zotëruese e politikës sonë, dhe ngado që u vërvit boshti i politikës, përsëri gjithçka ka mbetur vetëm në dy palë duar, që shtrëngohen njëra me tjetrën përmes të deleguarëve të tyre.
Edhe pse të parët quhen të majtë dhe të dytët rrahin nga e djathta, ndërmjet tyre ka ekzistuar gjithnjë një marrëveshje e heshtur për të larguar nga pushteti këdo që mendon në mënyrë të rrezikshme.
Partitë e reja shumë shpejt do të jenë në një masë të madhe “non grata”, të vjetërit do sillen në lëmin e politikës me të njëjtën forcë dhe autokraci, absolutizmi brenda forcave të tyre politike do të jetë dërrmues për lirinë e mendimit ndryshe.
Puritanizmi që njeh si autoritet vetëm ndërgjegjen, që nga fillimi i jetës plurale, u mbajt larg jetës politike, e sidomos, larg pushtetit.
Një grusht drejtuesish partiakë, më shumë autokratë se sa liderë, u futën në politikë si njerëz me ide e me pasuri të zakonshme, por tani kanë pasuri të pamatë dhe asnjë ide të vyer.
Me ta shpresa është e humbur. Përmes reformës gjysmake, kurrë të plotë dhe asnjëherë të qëndrueshme, të shtrënguar në darët e pak vetëve, kërkojnë me çdo kusht që gjithçka, deri frymëmarrja, të ketë lidhje me të drejtën e tyre për të sunduar.
Reforma e fundit zgjedhore, si do që ta themi, është turpi i politikës sonë dhe mëkati i pafund i ndërkombëtarëve, të cilët, duke synuar që me çdo kusht të ketë një reformë, nuk e kuptuan, ose nuk donin ta kuptonin, se e gjithë ajo që po ndodhte në Mjediset Politike, nuk ishte asgjë tjetër veçse vazhdimi i një loje të nisur në vitin 2008, ku pas tragjedisë së Gërdecit u bë pazari i madh politik si shfajësim për krimin dhe si bekim për shefin e ri të qeverisë.
Çfarë po ndodh aktualisht? Liderët politikë asnjëherë nuk e kanë dashur reformimin e plotë të shoqërisë shqiptare dhe mendimin vizionar, që mund të sillte ndryshimin.
Ligjet që kaluan përmes miratimit të njerëzve, shumë nga të cilët as që i kanë lexuar thellësisht, e, edhe më pak se kaq, i kanë kuptuar, janë ndërtuar në shërbim të pazarit të radhës, e mbyll ciklin pushtetor në një dyshe, e cila, nga njëra anë, ka pas vetes hijen e rëndë të Berishës dhe klanit të tij politik, dhe nga ana tjetër sektin politik të një grupimi rreth Ramës, ku mbyllen të gjitha deformimet dhe abuzimet, amniston krimin politik dhe financiar, harron ndëshkimin si formë e domosdoshme e normalitetit në një qeverisje, mban në lojë një grusht kryetarë partish, të cilët, të gjithë sëbashku nuk përbëjnë as një grusht autobuzësh; mbyll rrugën ndaj çdo force të re politike që synon ndryshimin, asfikson mendimin politik në partitë politike, i kthen drejtuesit në sovranë dhe grumbullon në parlament një grusht njerëzish, të cilët, nëse do të jenë apo jo aty varet nga pagesa që mund të bëjnë apo nga momenti politik i shefit.
Që nga viti 2008 parlamenti shqiptar është përbërë në shumicën e tij nga një bashkësi e lidhur me oligarkinë financiare, ku ata ishin pjesë ose vendosës, aty ka pasur vend për njerëz që vinin nga bota e krimit, delikuentë politikë, përgjithësisht njerëz pa integritet të caktuar, që synonin të mbytnin edhe ato pak vlera që gjendeshin aty. Antivlera u bë vlera e parlamentit, ndërsa vlera u shpall e jashtëligjshme.
Çfarë duhet bërë? Miratimi i listave të mbyllyra në 30 për qind të tyre është shenja domethënëse e vendosjes së Njëshit mbi thelbin e demokracisë, vetë vendosjes së njerëzve. Të drejtës së tyre për të zgjedhur.
Parlamenti i shkuar, por edhe i tanishmi, ka dëshmuar se në atë sallë janë ulur njerëz të lidhur me bandat e rrezikshme, se pikërisht këto të fundit kanë vendosur edhe radhën e vendosur në vendet e sigurta. Njerëz të nënshtruar ndaj krimit , që sot ndodhen në burgje, nuk mund të jenë të lirë, as në mendimin e tyre, jo më në vendosjen e tyre.
Mbi të gjitha duhet të hiqet autoriteti autokrat i shefave partiakë, duhet zeruar roli i tyre përcaktues dhe vendosës me fuqi sulltanore dhe u duhet kthyer e drejta, në fillim strukturave e më pas votuesve. Nëse edhe më tej shefat do të kenë këtë rol që kanë sot, askush të mos hungërojë nesër.
Ata do të ndërtojnë ato lista, ku njerëzit e tyre, qoftë mediokër, qoftë të pasur që duan të futen në politikë përmes pasurisë, të jenë në vendet e sigurta; ku shefat e partive të vogla nuk do e dinë kurrë forcën e tyre të vërtetë, por do të kthehen në lutës pas dere për një vend të sigurtë.
Loja e nisur në komisionet parlamentare, ku autorët ishin edhe aktorë, ku desh mbajtën pezull frymën e ndërkombëtarëve, të cilët, si e kanë pësuar edhe paraardhësit e tyre tundnin derën për të dëgjuar dritarja, është e pacipë, meskine, e padenjë për një popull në mendon se tash 35 vite është i lirë të zgjedhë, por që, si në kohën e monizmit, e detyron të zgjedhë, por tashmë jo nga një listë e vetme, por të ndarë në disa lista, e copëzuar, që në formë duket demokratike, por është po aq sunduese, përcaktuese dhe e detyrueshme, sa edhe më parë.
Në fund të fundit, kush mund të thotë nga se ndryshojnë deputetët e dy krahëve: janë të njëjtë. Kur ndodhen në pushtet janë mospërfillës, meskinë, pasurues, të harbuar, shkelës ligjesh, të pandëshkuar, ndërsa në opozitë shpifës, turfullues, shkatrrimtarë, demonstrues pa shkak të qenësishëm dhe pa asnjë vizion se si mund të ishin sjellë ndryshe.
Ata kanë nisur të kenë vetëm një frikë: SPAK, por loja e rrezikshme e deri tanishme me krimin, bandat, shkeljet ligjore, vrasjet, grusht shtetet, nxitjen e urrejtjes dhe krijimit të psikozës së ndëshkimit, pa apasur ndëshkim, tejkalimin e së drejtës për të qeverisur, tenderët përcaktues dhe korruptiv, krijimin e një klase të shkëputur nga njerëzit dhe që i përbuzin ato, të gjitha këto, aq të shumta dhe aq të shpërndara, nuk duan vetëm një institucion SPAK, por dhjetë të tillë, për të filluar ndëshkimi i merituar.
Por, edhe kur SPAK kërcënohet dy anësh, nga njëra anë me hakmarrje dhe shpërfytyrim , dhe nga ana tjetër, me “ reformim”, gjërat mbeten, si edhe më parë, larg ndëshkimit. Nëse SPAK-ut i duhet një kohë kaq e gjatë për një çështje të njohur, si ajo e kompleksit Partizani, apo edhe më e gjatë ndaj 21 janarit, e përtej tyre, për tenderë abuzivë, atëherë asfiksimi do të vijë nga vetë mungesa e kohës, e njerëzve dhe ndjenja e antkhit të së ardhmes.
Në 35 vite të gjithë i kemi provuar, majtas e djathtas. Nuk ia kanë vlejtur. Më e keqja është se duan të na mbushin mendjen se ata ishin fati ynë dhe se, edhe paskëtaj, vetëm përmes tyre mund të rrjedhë lumturia apo mjerimi ynë.
Ky i fundit, mjerimi, në fakt, ka rrjedhur e vazhdon të jetë pasojë e kësaj politike, të një grupi të vogël oligarkësh politikë dhe financiarë, mizorë dhe larg vizionit të duhur, përçmues të të varfërve dhe të atyre që dinë, ndaj në atë sallë kuvendi nuk ka më doktorë shkencash, njerëzit me integritet janë aq të paktë, kundërshtimet duken herezi, mendimi ndryshe trajtohet si braktisje, vesi quhet virtyt.
Nëse e djathta ka bashkuar fatin e saj me atë të drejtuesit të tyre dhe familjes së tij, kjo nuk është thjeshtë punë e tyre, është përtej kësaj. Nëse Berisha, apo kushdo qoftë një ditë të ardhshme, mendon se opozita është si pronë e zënë, kjo është përtej fatit të një njeriu apo të familjes së tij.
Në opozitë më shumë i besojnë realiteteve abstrakte sesa të drejta dhe vizionit konkret. Opozita e shndërruar në raskapitje e ka të vështirë të ndalet, nëse nuk e kupton se reformimi i saj nuk mund të bëhet nga ata që e deformuan, e as një pinjollët e orëve të fundit, që nuk duan reformim, por zaptim.
E majta në pushtet nuk ka pse pajtohet me gjendjen, ku shefi të jetë gjithçka, ndërsa njerëzit rreth e tij të duken si lolot e pallatit. Vitet e pushtetit rritin rolin e Njëshit, por edhe e afrojnë rrezikun e shembjes njëherësh, të Njëshit djhe të forcës politike.
Harresa se kujt i përket e majta, vetëm se shefi i tyre shikon gjithnjë nga e djathta, pra, nga oligarkia sunduese, lënia e një gjendje shoqërore në hallin e saj, ngucja për afrim përmes lëmoshës së fund vitit apo prag zgjedhjeve, pa reformim të plotë dhe serioz, do të sjellë një ditë ndëshkimin e pashmangshëm.
Nëse do të jetë edhe më tej kështu, në çastin kur shefi i tanishëm do të shkojë, e majta nuk do të jetë më./ DITA